Ngjarje

Zjarri në pallatin në Tiranë/ Hita: Do verifikojmë kamerat, masa të forta nëse ka shkaqe të jashtme

Nga Gazeta ‘Si’- Drejtori i Policisë, Skënder Hita, deklaroi nga vendngjarja se situata e zjarrit tek kompleksi Arlis po shkon drejt vënies nën kontroll, ndërsa të gjitha strukturat e sigurisë janë angazhuar në operacion.

Sipas tij, dy banorë janë evakuuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe policia, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, duke pësuar vetëm asfiksi të lehtë.

Hita bëri të ditur se edhe disa efektivë të shërbimit zjarrfikës kanë marrë djegie të lehta gjatë ndërhyrjes, por fatmirësisht pa pasoja të rënda.

Ai theksoi se ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve, pasi jo të gjitha ambientet e pallatit janë kontrolluar, ndërsa operacioni do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të flakëve.

“Nuk mund të japim ende rezultate konkrete. Pasi të kontrollohen të gjitha ambientet, do të bëjmë bilancin përfundimtar dhe do t’ju informojmë”, tha Hita.

Sipas drejtorit të Policisë, në terren janë angazhuar të gjitha forcat e rendit, në koordinim me zjarrfikësit, si dhe repartet speciale të FNSH dhe RENEA.

Ai shtoi se hetimet për shkaqet e zjarrit do të nisin sapo situata të vihet plotësisht nën kontroll, përmes verifikimit të kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetje të personave që kanë dijeni për ngjarjen.

“Nëse rezulton se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, do të ketë masa ekstreme”, paralajmëroi Hita.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë