Drejtësia

Skandali i listës së pagave, dy specialistët bashkëpunojnë me Prokurorinë për zbardhjen e skemës

Katër personat e arrestuar për nxjerrjen e të dhënave të qytetarëve nuk qëndruan gjatë në qeli. Gjykata e Tiranës ka shfryrë hetimet e prokurorisë, duke liruar katër të ndaluarit, të cilët dekonspiruan pagat e mbi 690 mijë qytetarëve shqiptarë. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Artan Gjermeni, i cili ka vendosur që të dyshuarit të hetohen në gjendje të lirë.

Eni Qirjako, specialiste e IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e gjithë skemës së vjedhjes së të dhënave të pagave. Pas shoqërimit në polici, kolegu Andi Agaraj i kishte kërkuar asaj riformatimin e kompjuterit për të humbur gjurmët, por Qirjako nuk pranoi dhe i la serverat të paprekur.

Pas përballjes me provat, edhe specialisti Andi Agaraj ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke u treguar prokurorëve emrat e dy përmbaruesve që u kishte shitur të dhënat dhe shumën e parave që kishte marrë në këmbim.

Kështu, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje“ për Qirjakon. Për Andi Agarajn gjykata caktoi masën “arrest shtëpie”, ashtu si dhe për dy përmbaruesit Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Hetimet nxorën në pah se të dhënat e qytetarëve shqiptarë u përdorën vetëm për 20-30 mijë lekë. Katër të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe korrupsion.

Referuar dosjes hetimore, të dhënat e administruara nga Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, dy personat e punësuar në subjekte private që kanë blerë të dhënat, i kanë marrë këto kundrejt shumave nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë përmes “Hard Disqeve” të jashtme të cilat janë vënë në dispozicion nga Andi Agaraj.

Eni Qirjako i ka dërguar specialistit të IT-së, Andi Agarajt të dhënat që lidhen me pagat e shqiptarëve përmes e-mail-it. Transferimi i të dhënave është bërë në intervale të ndryshme kohore, nga tetori i vitit 2020, deri në shtator të vitit 2021.

Për këtë, ajo ka lajmëruar menjëherë drejtorin e saj, Ervin Muçën, ku i ka bërë të qartë se user-i i krijuar me emrin “Moza Seraj” është ai që ajo përdor në aksesimin e të dhënave nga ana e saj.

Kryeprokurorja e Tiranës, Eliabeta Imeraj, paralajmëroi edhe një tjetër hetim në lidhje me nxjerrjen e të dhënave të qytetarëve, pas publikimit të më shumë se 530 mijë targa të mjeteve. “Kemi sekuestruar edhe serverat në DPRSHTR pas daljes së targave”, - tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë