Dosje

‘Stafeta’ e skandalit të pagave, si u shitën për 20-30 mijë lekë të dhënat e qytetarëve nga shtatori 2020 deri në prill 2021

Gazeta Si - Të dhënat e rreth 690 mijë qytetarëve shqiptarë, përfshirë listën e pagave, numrin e ID deri dhe targat e automjeteve, dolën në “pazar” kundrejt një shpërblimi prej 20 deri në 30 mijë lekë.

Sipas dosjes së zbardhur nga Gazetasi.al, të dhënat nga database i “SISTEMIT CATS” të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë, dolën përmes specialistes së IT, Eni Qirjako dhe kolegut të saj, Andi Agaraj. 24-vjeçarja nga Vlora, e punësuar pranë AKSHI-së, ka marrë listën e pagave dhe ia ka kaluar kolegut të saj.

Në një formë “stafete”, Agaraj, 31 vjeç nga Patosi, ia ka shitur ato shtetasit Klodian Sota për 20 mijë lekë. Ndërsa ky i fundit, kundrejt një shpërblimi prej 20-30 mijë lekësh, ia ka kaluar shtetasit Endri Ikonomi.

Klodian Sota, 43 vjeç nga Lushnja, punonjës në një kompani si menaxher në një zyrë përmbaruese private dhe Endri Ikonomi, 46 vjeç nga Tirana, i punësuar si drejtor i përgjithshëm në një kompani po private në sektorin financiar, i kanë përdorur të dhënat për qëllime të ndryshme, për të cilat Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.

Si nisi shpërndarja

Në dosjen hetimore të siguruar nga Gazetasi.al, gjithçka ka dalë nga Eni Qirjako, e cila ia ka transferuar të dhënat e qytetarëve kolegut të saj, Agaraj përmes email-it zyrtar të punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Qirjako, e cila ka filluar punë në këtë institucion publik në 20 korrik 2020, si specialiste IT, ka rënë në dijeni të shpërndarjes së rrjedhjes së pagave në datë 22.12.2021.

Pasi është njohur me këto të dhëna, prokuroria thotë se Qirjako ka konstatuar se ora dhe data e krijimit të file-t në Excel, përkonte me datën dhe orën që këto të dhëna ajo ia kishte dërguar kolegut të saj, Andi Agaraj.

Lidhur me këtë fakt, siç del nga dosja hetimore, ajo ka njoftuar eprorin e saj, Ervin Muça, të cilit i ka bërë të qartë faktin se emri i përdoruesit nga i cili kanë dalë këto të dhëna me emrin Moza Seraj, është useri që ajo përdor në aksesimin e të dhënave nga ana e saj.

Në dosje, thuhet se Eni Qirjako ka kërkuar ndryshimin e userit “Moza Seraj”, por ai nuk është bërë. Për këtë, prokuroria ka sekuestruar “Hard Diskun” e kompjuterit të Qirjakos dhe Agarajt në zyrën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të mësuar më shumë si ka funksionuar kjo skemë.

Listat e pagave, nga shtatori 2020, deri në prill 2021

Në fakt, prokuroria ka zbuluar se nuk është vetëm databaza i pagave të muajit janar-prill 2021 që janë marrë nga “Sistemi Cats” i drejtorisë së Tatimeve.

Sipas dosjes hetimore, Gazetasi.al mëson se janë nxjerrë nga ky sistem lista e pagave nga muaji shtator 2020 deri në prill 2021. Referuar këqyrjes së “email”-it të punës Qirjakos, del se të dhënat e kërkuara dhe të publikuara si objekt hetimi, janë dërguar nga “email”-i i saj i punës, në “email”-in zyrtar të kolegut Agaraj në datat e mëposhtme:

“Në datë 21.10.2020, listë pagesat e muajit shtator 2020. Në datë 25.11.2020, listë pagesat e muajit tetor 2020. Në datë 25.01.2021, listë pagesat e dhjetorit 2020. Në datë 24.02.2021, listë pagesat e janarit 2021. Në datë 29.04.2021, listë pagesat e muajit mars 2021 dhe në datë 22.10.2021, listë pagesat e muajit shtator 2021. Këto të dhëna i janë dërguar nga adresa zyrtare e punës [email protected], në adresën e [email protected]. Këto file, siç rezulton nga këqyrja, janë dërguar në programin ‘ëe transfer’”, - thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.

Shitja e të dhënave, nga Agaraj te Ikonomi

Pasi ka marrë informacionin e kërkuar nga kolegia e tij, specialisti i IT, Andi Agaraj, i cili punon prej vitit 2013 në drejtorinë e Tatimeve në sektorin e rrjetit dhe infrastrukturës, ka vijuar me finalizimin e planit të tij, atë të shitjes së të dhënave.

Fillimisht, i riu nga Patosi, i ka shitur ato te shtetasi Klodian Sota, për shumën 20 mijë lekë, sa herë ai i ka kërkuar listë pagesash.

Për këtë, policia gjyqësore, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesën e shtetasit Sota, një “Hard Disk” të jashtëm, në të cilin dyshohet se ndodhen të gjitha të gjitha të dhënat e pagave të nxjerra nga database i “Sistemit Cats”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Më pas, Sota, të dhënat e blera nga specialisti i IT Agaraj, ia ka shitur shtetasit Endri Ikonomi për një shumë prej 20 mijë deri në 30 mijë lekë.

Akuzat ndaj 4 të arrestuarve

Pas arrestimit në lidhje me skandalin, dy specialistët e IT, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, dyshohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bshkëpunim.

Klodian Sota akuzohet për veprën penale “korrupsioni aktiv, i personve që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Endri Ikonomi akuzohet për veprën penale “korrupsioni pasiv në sektorin privat”. Po ashtu, është proceduar në gjendje të lirë, drejtori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ervin Muça.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë