Kreditimi në euro ka vijuar në rritje të ndjeshme përgjatë gjithë vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 10 muajt e parë të këtij viti sektori bankar ka disbursuar 715 milionë euro kredi të reja, në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vlera e kredisë për periudhën 10 mujore është njëkohësisht më e larta e regjistruar në të paktën gjashtë vitet e fundit.
Rreth 47% e kredisë së re në euro të dhënë këtë vit ka pasur një maturitet afatgjatë, me më shumë se 5 vjet.Të njëjtën periudhë të një viti më parë kredia e re afatgjatë në euro zinte një peshë më të ulët, me rreth 40% të totalit.

Në vitet e fundit, kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme po rritet me ritme të larta, falës ofertës së lartë të bankave, por edhe kërkesës në rritje, të nxitur nga rritja e çmimit të pronave.
Cilësia e kredisë në valutë e pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit është përmirësuar dukshëm në vitet e fundit.
Në mesin e vitit 2021 raporti i kredive me probleme për këtë segment të kredisë ra në 6.2% në fund të qershorit 2021, në krahasim me 7.1% në dhjetor 2020 dhe 7.9% në qershor 2020.
Në analizën për ecurinë e treguesve të euroizimit të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë konstatonte se kreditë në valutë të huaj përbënin rreth 49.9% të portofolit total të kredisë, vlerë kjo 2.8 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë.
Megjithatë, kjo është ndikuar sidomos nga rënia e kredisë në dollarë amerikanë, ndërsa dhënat paralele tregojnë se kredia në euro këtë vit është rritur ndjeshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



