Ngjarje

Vrasja në market, polici ndodhej në Tiranë për testin e drogës. Arrestohet shoku i viktimës

Punonjësi i policisë Arbër Sulaj, i shpallur në kërkim për vrasjen e Jurgen Dukës për një sherr për radhën në market, ndodhej në Tiranë pasi ditën e martë kishte planifikuar të kryente testin e drogës.

Sipas analizave të ngjarjes dhe dëshmive të shokëve të Jurgen Dukës, është përjashtuar mundësia  që autori dhe viktima të kishin një njohje të mëparshme më njëri-tjetrin. SHÇBA po ndihmon Policinë e Tiranës në mënyrë që të bëhet e mundur lokalizimi dhe kapja e policit Arbër Sula.

Pas ngjarjes, ai dyshohet që të jetë larguar në drejtim të "Astirit" dhe më pas jashtë Tiranës, por ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i vendndodhjes.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka vënë në pranga të mërkurën një 36-vjeçar, cili ka qenë prezent në momentin e vrasjes së Jurgen Dukës.

Sipas policisë, në pranga ka rënë Orgest Drazhi, i cili ishte shok me viktimën dhe nuk ka kallëzuar krimin. Jurgen Duka u vra pak pas mesnatës të së hënës një një market në Tiranë në rrugën “Irfan Tomini”.

Duka ishte së bashku me disa shokë dhe pasi kishte blerë disa produkte, shkoi në kasë për t’i paguar. Aty është konfliktuar me policin Arbër Sula për radhën e pagesës.

Pasi janë shtyrë me njëri-tjetrin, Duka e ka qëlluar me grusht policin me detyrë agjent krimesh në Dibër dhe ai i është përgjigjur me armë, duke e plagosur rëndë dhe pak minuta më pas ai ndërroi jetë në spital. Policia arriti ta identifikojë Sulën, banues në Sauk të Tiranës vetëm përmes pamjeve filmike të marketit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë