Rend dhe Ligj

VIDEO/ Sherri për radhën në market, si u vra me pistoletë 29-vjeçari në Tiranë. Kush është viktima

Një 29-vjeçar me precedentë të mëparshëm penal është vrarë me armë zjarri pas mesnatës së të martës në Tiranë gjatë një sherri për motive banale.

Viktima, i identifikuar si Jurgen Duka u konfliktua me një punonjës policie me detyrë në Dibër, A.S., për radhën në një market në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, ku autori, pasi e ka qëlluar u largua nga vendngjarja.

Shoku i viktimës, i cili ka qenë së bashku me të në momentin e ngjarjes, ka deklaruar në polici dinamikën e krimit. Sipas dëshmisë së tij, sherri mes Jurgen Dukës dhe autorit nisi për radhën në market. Ai u identifikua nga policia disa orë pas ngjarjes, por pa mundur të arrestohet ende.

Si nisi konflikti për radhën

Nga pamjet filmike që ka siguruar Gazetasi.al, Duka së bashku me shokët e tij shkon me qese dhe ca birra për të bërë pagesën. Por mësohet se në radhë para tij ka qenë autori i vrasjes.

Këtu nis konflikt verbal mes tyre që përshkallëzohet në përplasje fizike dhe më pas përdorim të armës së zjarrit. Në konflikt e sipër, autori i paidentifikuar e qëlloi me armë Jurgen Dukën duke e lënë të plagosur, por për shkak të plagëve, 29-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.

Autori i vrasjes, një punonjës policie

Pavarësisht nga pamjet e publikuara nga Gazetasi.al, Policia e Tiranës e ka identifikuar autorin e vrasjes së Dukës disa orë ps ngjarjes, por pa mundur ta prangosë.

Vështirësia në identifikim lidhej me faktin se autori i vrasjes nuk është banor i zonës në rrugën ‘Irfan Tomini”, pasi ai banonte në Sauk, pranë kryeqytetit.

Mendohet se ai të ketë ardhur nga një zonë tjetër, por ka ndaluar për të bërë blerje, duke qenë se marketi ku ndodhi krimi qëndron 24 orë i hapur. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autori u largua me një automjet në drejtim të zonës së Kombinatit.

Policia, përmes kamerave të sigurisë ka mundur të ndjekë lëvizjet e tij deri në një segment rrugor, por më pas ka humbur gjurmët. Deri tani, policia ka shoqëruar në komisariat disa persona që dyshohet se mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

E shkuara e viktimës

Viktima në të shkuarën ka qenë një person me precedent kriminal. Jurgen Duka mësohet se është arrestuar në vitin 2020 në kuadër të një operacioni anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë, ku u prangosën edhe disa persona të tjerë.

Në Tiranë u arrestua Jurgen Duka, asokohe 28 vjeç dhe 40-vjeçari Elison Hysenbelli. Kapja e tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt vendin fqinj për tu përballur me akuzat e trafikut të lëndëve narkotike.

Ndërkohë, 29-vjeçari ka pasur edhe dënime të tjera për vepra të ndryshme penale. Konkretisht, Jurgen Duka ka qenë i dënuar edhe për heqje të paligjshme të lirisë dhe përndjekje në vitin 2017, për të cilat është dënuar me 4 muaj burg.

Gjithashtu në vitin 2013 ka qenë i proceduar në gjendje të lirë për mashtrim dhe në vitin 2014 për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë