Bota

Sanksionet ndaj grupit serb, përfshi edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Vuçiç: Do hetohet nëse ka akuza serioze

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pasi Millan Radoiçic, Zvonko Vesellinovic dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor.

Presidenti i Serbisë ka thënë se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “akuza serioze kundër tyre”.

Në një konferencë për media, Vuçiç tha se ka pranuar një raport joformal nga Ambasada amerikane rreth këtij vendimi.

“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçic.

Presidenti serb shtoi se druan “që një dokument të këtillë do të mund të pranojë edhe për disa njerëz në funksione shumë më të larta në rajon”.

“Atëherë a do të reagojmë ashtu? Gjithçka që pranojmë me çfarëdo treguesi se dikush ka kryer ndonjë vepër penale, organet tona përgjegjëse do të jenë të gatshme që në po atë moment të verifikojnë gjithçka” tha Vuçiç.

Vuçiç njëkohësisht mohoi që Partia Përparimtare Serbe (SNS), në krye të së cilës është, ka marrë para nga, Zvonko Vesellinoviq.

“Asnjë dinarë nuk na ka dhënë, sa më përket mua për të tjerët nuk e di. Partia të cilën e udhëheq ka më shumë se mjaftueshëm para falë mjeteve shtetërore dhe anëtarësimit. Këto janë burimet tona kryesore. Kurrfarë nevoje nuk kemi për çfarëdo para tjera”, përfundoi Vuçiq.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vënë në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe, ndryshe partisë kryesore serbë në Kosovë, MIllan Radoiçic, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinovic, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë