Filma

A po bëhen filmat ‘kokë turku’ për përhapjen e drogës?

Fajësimi i artit për sëmundjet shoqërore është një kokë turku po aq i vjetër sa koha

Televizioni fajësohet për shumëçka. Është thënë se shikimi i shumë grave të reja të veshura me bikini në “Love Island” mund të shkaktojë probleme me vetëvlerësimin; shumë Kill Bill mund të frymëzojnë tendenca të dhunshme; shikimi i Joker shkakton sjellje të pakëndshme midis burrave të rinj e të vetmuar; seriali Mad Men me pirjen e duhanit në zinxhir i bën shikuesit të dëshirojnë të pinë duhanin.

Nuk është për t’u habitur, pra, që Chris Farrimond, drejtori i udhëheqjes së kërcënimeve në Agjencinë Kombëtare të Krimit, i është përgjigjur thirrjeve për një goditje ndaj drogës duke fajësuar “përshkrimet që shihni në media” për përdorim të drogës. “Po flas veçanërisht për filmat”, tha Farrimond për “The Times”, fenomen të cilin ai e argumenton si “magjepsje, deri në njëfarë mase”.

Duke drejtuar gishtin te përdoruesit e klasës së mesme të kokainës, të cilët ai i përshkroi si një gjeneratë “në zhvillim”, Farrimond fajësoi pikërisht industrinë e filmit.

Por, Farrimond nuk është i pari që fajëson portretizimin artistik të përdorimit të drogës për një rritje të konsumit në jetën reale. Irvine Welsh u godit shumë ashpër nga kritikët për romanin e tij të vitit 1993 “Trainspotting”, i cili u shndërrua në një film kult tri vjet më vonë. Duke folur me “The Guardian” në vitin 2009, Welsh u ankua për efektin e qëndrueshëm të panikut moral rreth përdorimit të drogës në ekran: “Tani shikoj të gjithë edukimin për drogën dhe fajësohet Trainspotting!”.

Në shfaqjen e filmit “The Wolf of Wall Street” në 2013, regjisori Martin Scorsese u sulmua nga kolegë skenaristë me thirrjet “turp për ty” dhe u etiketua “i neveritshëm” nga aktorja Hope Holiday për portretizimin e seksit dhe përdorimit të drogës.

Leonardo di Caprio, në filmin “The Wolf of Wall Street”

Në të vërtetë, Farrimond tingëllon shumë si ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, i cili mbajti një fjalim para të moshuarve të shkollave të mesme në Chattanooga Tennessee për rreziqet e drogës. Reagan u tha fëmijëve se “përdorimi i drogës shfaqet ende në një mënyrë pozitive dhe optimiste në ekranet tona” dhe si një ish-yll filmi dhe president i “Screen Actors Guild”, ai donte që industria e filmit të ishte “pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit”.

Ishte viti 1987 – 16 vjet përpara dhe industria e filmit dukej sikur mund të kishte dëgjuar lutjen e Reganit. Shfaqja e vitit 2003 e klasikut të kultit “Thirteen”, që përshkruan udhëtimin e dy vajzave adoleshente përmes seksit të shthurur, presionit të bashkëmoshatarëve dhe varësisë nga droga, u tregtua si një mjet terapie për adoleshentët e rinj, kureshtarë ndaj drogës. Në atë kohë, “The New York Times” raportoi se broshurat e prodhuara nga organizata DARE (Edukimi i rezistencës ndaj abuzimit me drogën) po shpërndaheshin në një shfaqje në Manhattan. Regjisorja e filmit, Catherine Hardwicke, pohoi se ajo kishte dashur të krijonte një formë “kinematerapie” duke bërë një film “që mund të lidhej me fëmijët dhe nënat në mënyrë që ata të kuptonin se nuk ishin vetëm”.

Filmi “Thirteen”

Përshkrimet e përdorimit të drogës në ekran priren drejt magjepsjes ose dëshpërimit. Madje edhe filmi “Scarface” ka nuanca: skenaristi Oliver Stone ka thënë se ai në fakt e shkroi atë si një “hakmarrje ndaj kokainës” pas varësisë së tij nga droga. Pavarësisht nga paniku prej dekadash për shikuesit që marrin shenjat e tyre morale ose etike nga ajo që shohin në TV ose në kinema, shumica e njerëzve e kuptojnë se abuzimi me drogën nuk është diçka për t’u imituar. Është e pamundur të shikosh filma si “The Wolf of Wall Street” ose seriale si “Breaking Bad” pa kuptuar anën e errët dhe të rrezikshme të drogës.

Nga ana tjetër, shumë njerëz kanë pranuar të paktën se kanë provuar një shumëllojshmëri drogërash nga kanabisi te kokaina. Arsyeja pse filmi “Dazed and Confused” u bë një hit i qëndrueshëm nuk ishte vetëm për linjën e Matthe McConaughey “në rregull, në rregull, në rregull”, por sepse ai përfaqësonte diçka të vërtetë për adoleshentët amerikanë të viteve 1970 që kishin shumë pak për të bërë në qytetet e vogla, përveçse të pinin dhe të vozisnin përreth. Në të vërtetë, mbrojtja e Welsh për “Trainspotting” ishte se ai nuk po shkruante për një botë të imagjinuar të varësisë nga heroina, por po përfaqësonte realitetin e jetës në një Leith (qytet në veri të Skocisë) të varfër.

Varësia nga droga është një mallkim i tmerrshëm dhe nuk duhet të ngatërrohet me adrenalinën e një pjese të rinjsh. Në vend që të jetë vërtet novatore dhe të hapë një bisedë sesi dekriminalizimi mund të prodhojë një marrëdhënie më të shëndetshme me konsumin, qeveria po derdh 780 milionë £ në luftën e saj kundër drogës, me kërcënime për burgim më të gjatë dhe madje heqje pasaportash për përdoruesit e klasës A. Por nëse politikanët dhe zyrtarët duan të luftojnë anën e errët të varësisë, luajtja e censurës nuk do të zgjidhë asgjë.

Marrë nga “The Telegraph”, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë