Shqipëria gjendet në vështirësi financiare për të paguar staf të ri mjekësor në spitalet covid si dhe të paguajë orët shtesë për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të frontit anti covid dhe për blerjen e vaksinave të reja , sidomos tani që ka nisur aplikimi i dozës së tretë .
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, I dha sot miratimin qeverisë që të përdor një hua prej 60 milionë euro të premtuar nga Banka për Zhvillim të Këshillit të Evropës.
Në seancë ishte edhe zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Eugena Tomini, zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë Adela Xhemali dhe përfaqësues të tjerë nga dy ministritë përgjegjëse.
Zonja Tomini iu tha deputetëve se shuma prej 60 mln euro do të ndihmojë në fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve që lidhen me të, sigurimin e vaksinës së COVID-19 për mbrojtjen e popullatës nga rreziqet e COVID- 19.
“Ndërsa zv/ministrja e Financave, Adela Xhemali sqaroi se, nëpërmjet huasë 60 milionë euro do të financohen shpenzimet buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.
Por relatorja e projektit Ilda Dhori, tha se ndryshe nga ccfarë ishte deklaruar si prioritet i buxhetit të Shëndetësis, ky fond prej 60 milion eurosh do të përdoret për punësim të personelit mjekësor shtesë, doktorë, infermierë dhe ndihmësinfermierë si dhe fondet e nevojshme për pagat e punës jashtë orarit për personelin mjekësor dhe jomjekësor, që shërbejnë në institucionet shëndetësore të trajtimit të pacientëve me COVID-19, blerje e pajisjeve mjekësore, sigurimi i produkteve farmaceutike të domosdoshme, si barna mjekësore, kitet diagnostikuese për koronavirus etj, sigurimi i materialeve të tjera mjekësore, si maska, doreza dhe dizinfektantë, sigurimi i pajisjeve mbrojtëse personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor; rehabilitimi dhe përshtatja e spitaleve, blerja e vaksinave të COVID-19.
Shlyerja e huasë së akorduar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të bëhet brenda 15 viteve.
Në realcion shpjegues thuhet se kjo hua nuk do të shkaktojë efekte të tjera buxhetore shtesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



