Para

Efekti i inflacionit në BE-Dhuratë në Shqipëri për festat e fundvitit

Inflacioni i paparashikuar prej 4.9% i zonës së Euros do të ndikojë drejtpërdrejtë në ekonominë e Shqipërisë para, gjatë dhe pas festave të fundvitit.

Pedagogu i ekonomisë, Igli Tola, thotë për Gazetasi.al se inflacioni i importuar do të ndihet gjatë kësaj periudhe pasi dhe flukset e importit rriten më tepër, për shkak të festave dhe përgatitjen e bizneseve për të nisur një vit të ri me shumë ndryshime. Gjë që sipas tij, mund të zgjasë deri në 6-mujorin e parë të vitit.

“Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur që ndikohet nga ekonomitë e huaja e sidomos nga importi i mallrave nga vendet e BE-së. Sa më shumë që ekonomitë të ndërveprojnë në eksport-import aq më shumë ndikohet norma lokale e inflacionit të vendeve.”

60% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë kryhet me vendet e BE-së, 54.1% e importeve dhe 73.5% e eksporteve në total, duke lënë vend për një ndikim të presioneve inflacioniste të jashtme në vendin tonë.

Pedagogu Tola shpjegon se përveç importeve në inflacionin e importuar ndikon edhe kursi i këmbimit.

“Llogaritja e inflacionit të importuar bëhet me inflacionin e eurozonës dhe kursin nominal të këmbimit në vendin tonë. Në Shqipëri një pjesë shumë  e madhe e transaksioneve bëhet në euro dhe javën e fundit po shohim një goditje të kursit”,-shpjegon Tola.

Eksperti përmend për “SI” se ë fakt në Shqipëri kanë munguar studimet mbi inflacionin e importuar, po në një ekonomi efekti i këtij treguesi shkon rreth 15-27%, sipas integrimit të saj dhe kursit të këmbimit.  
“Rritja e CPI-së në Eurozonë ishte e pritshme sepse dalja nga pandemia solli rritje të madhe çmimesh. Në Shqipëri ndikimi mund të shkojë deri në 7%. “

Një inflacion i importuar në rritje, që bazohet në shportën e produkteve të konsumit ku 80% janë produkte ushqimore, në një ekonomi si e jona do të rrisë minimumin e jetesës, sipas ekspertit. Më tej, rritja e minimumit të jetesës do të rrisë numrin e individëve në kufirin e varfërisë. Do të rrisë pabarazitë dhe sigurisht kostot e jetesës.

Gjatë muajit tetor 2021, inflacioni në vend u raportua në 2.4%, me një rënie të lehtë prej 0.1% nga shtatori i të njëjtit vit. Sipas raporteve kombëtare dhe të jashtme, vala e rritjes së çmimeve nuk e mori me vete Shqipërinë si në vendet e tjera. Çmimet u rritën për të qëndruar nën mesataren e vendeve të BE-së, sipas Instat.

Inflacioni i Eurozonës arriti në 4.9% gjatë muajit tetor, në kundërshtim me çdo parashikim, ndikuar nga kostot në rritje të jetesës dhe sidomos energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë