Treg

Inflacioni i Eurozonës mposht të gjitha parashikimet, rritet në 4.9%

Inflacioni i Eurozonës u rrit në një rekord dhe tejkaloi të gjitha parashikimet, duke shtuar sfidën e Bankës Qendrore Europiane përpara një takimi vendimtar muajin e ardhshëm mbi të ardhmen e stimulit monetar.

Çmimet e konsumit u rritën me 4.9% në nëntor, duke mposhtur të gjitha 40 parashikimet e ekonomistëve, ku mesatarja ishte për 4.5%. Tregjet e euros dhe të obligacioneve ndryshuan pak pas publikimit të të dhënave.

Duke parashikuar një rritje të inflacionit këtë muaj, zyrtarët e BQE-së kanë dyfishuar përpjekjet ditët e fundit për të siguruar qytetarët se po përballen me një shtrydhje të kostos së jetesës një herë në gjeneratë që nuk do të zgjasë, e nxitur nga energjia dhe një sërë faktorësh të njëhershëm.

Ndërsa presidentja Christine Lagarde po i përmbahet këtij skenari, disa kolegë po paralajmërojnë se presionet e çmimeve mund të zgjasin më shumë për t’u ulur, duke nxitur spekulimet për kursin e ardhshëm të politikës monetare.

Në një mbledhje të 16 dhjetorit, Këshilli Drejtues është vendosur të shpallë fundin e planit të tij të blerjes së bonove pandemike dhe të përshkruajë se si do të zhvillohen blerjet e rregullta dhe normat e interesit ndërsa ekonomia vazhdon rimëkëmbjen e saj.

Presioni për një dalje më të shpejtë ka të ngjarë të vijë nga Gjermania, ku inflacioni arriti në 6% këtë muaj, më i shpejti që nga fillimi i viteve 1990. Presidenti i Bundesbank, Jens Weidmann, i cili do të japë dorëheqjen në fund të vitit, ka dhënë tashmë alarmin, duke thënë se është e mundur që ritmi i Eurozonës të mbetet mbi objektivin 2% të BQE-së në afat të mesëm.

Megjithatë, homologu i tij spanjoll Pablo Hernandez de Cos po paralajmëron kundër një heqjeje të parakohshme të mbështetjes. Të hënën,29 nëntor, pasi të dhënat treguan një normë kombëtare prej 5.6% atje – gjithashtu më e larta në gati tre dekada – ai argumentoi se nuk ka asnjë arsye për të nxituar për të ndaluar blerjet e bonove duke qenë se presionet e çmimeve do të lehtësohen “shumë ndjeshëm” në tremujorin e dytë.

Projeksionet e përditësuara për rritjen dhe inflacionin do të udhëheqin vendimin e BQE-së.

Në shtator, parashikimet treguan një lehtësim të inflacionit në 1.5% në 2023. Mënyra se si do të ndryshojë kjo është shumë e pasigurt pasi shfaqja e papritur e llojit të Covid-19, Omicron, potencialisht më infektues se variantet e njohura më parë, rriti rrezikun e kufizimeve të reja.

Rastet e ringjallura në javët e fundit tashmë kanë shtyrë Holandën dhe Gjermaninë të vendosin kufizime të reja. Austria dhe Sllovakia hynë në izolim. Nëse përsëriten diku tjetër, masa të tilla mund të rëndojnë në prodhim dhe të përforcojnë pengesat tashmë të paprecedentë të zinxhirit të furnizimit.

Nënkryetari i BQE-së, Luis de Guindos pyet veten nëse shtrëngimi aktual mund të zgjasë më shumë se sa pritej. “Ekziston rreziku që inflacioni të mos ulet aq shpejt dhe aq sa kemi parashikuar”, tha ai për Les Echos në një intervistë.

Pas publikimit të të dhënave të inflacionit, yield-et 10-vjeçare gjermane qëndruan më të ulëta, duke rënë me tre pikë bazë në minus 0.35%.

Tregjet e parasë vazhdojnë të presin rritjen e parë të normës së depozitave të BQE-së në vitin 2023.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë