Gazeta Si – Klevio Ahmeti, reperi i njohur me emrin artistik “Cllevio”, ka dëshmuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor që mbahet për të të dënuarin me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu.
Dëshmia e tij lidhet me sherrin që ka patur me reperin e njohur Noizy dhe dhunën që ky i fundit kishte ushtruar ndaj tij në momentin kur kishte shkuar që t’i kërkonte falje për ofendimet në rrjetet sociale.
Reperi tregoi sesi ishte rritur me Laert Haxhiun dhe marrëdhënien e tyre ndër vite. Përsa i takon dyshimeve se Laert Haxhiu i vendosi tritol Noizyt pas sherrit që kishte patur me Cllevion, ky i fundit tha se nuk kishte asnjë dijeni dhe se lajmin për shpërthimin në lokal e kishte marrë nga shokët e burgut.
Sipas dëshmisë, ai ka sqaruar se “nuk ka asnjë lidhje me të pandehurit”, me përjashtim të Haxhiutn, duke thënë se e ka pasur shok që fëmijë.
“Jetoj në Lushnjë dhe Laerti është jo më larg se 150 metra nga shtëpia ime. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha, rrija në Lushnje. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë nuk e kam takuar fare. Kam ardhur nga SHBA në vitin 2013 dhe në vitin 2014 rashë në burg. Kam dalë në vitin 2020 dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin”, ka thënë Cllevio para hetuesve.
Ndërsa për këngëtarin Rigels Rajku, ose siç njihet, Noizy, ka deklaruar se ai “ka nisur me sharjet, jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj një reperi tjetër”.
Kështu, edhe për të marrë famë, ka argumentuar se i ka bërë diss-e. “Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 vitesh ia ktheva edhe unë me muzikë, duke e sharë Noizy-n. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në vitin 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova ta ngacmoja në mënyrë artistike, që quhet diss. Kur bëra këngën, u bëra i famshëm dhe kjo po më pëlqente.”
Por pavarësisht përplasjeve mes tyre virtuale dhe jo vetëm, ka rrëfyer se në një moment i ka kërkuar falje. Akt, që siç tregon Cllevio, përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme për të.
“Një ditë i thashë vetes: boll me diss dhe shkova t’i kërkoja falje. Atë ditë ishte i shoqëruar në Durrës. Kur shkova te lokali ‘Zins’ në Currila, parkova dhe u thashë shokëve të mos dilnin nga makina. Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit dhe rreth 12 veta të tjerë. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe më pas u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg”.
“Unë e kisha njoftuar se po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin live, ku thoja se po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali, ishte një roje. I thashë: ‘Ma thirr Noizyn’. Ai erdhi për rreth 24 sekonda bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh personat që e shoqëronin Noizy-n. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më goditi me grusht. Më pas më goditën edhe 6-8 veta të tjerë. Në sherr u përfshinë edhe dy shokët e mi, ku njërit iu thyen dhëmbët. Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe në brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklarim kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër e familjes ishte në Amerikë. Ngjarja është dokumentuar me pamje filmike dhe aty shihet se më godasin. Nuk kam menduar të hakmerrem ndaj Noizy-t”, ka shtuar reperi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje