Politika shqiptare ka reaguar dhe ka shprehur hidhërim të thellë për tragjedinë në Bullgari, ku humbën jetën 46 turistë nga Maqedonia e Veriut të djegur në një autobus që u aksidentua në autostradë teksa po ktheheshin nga Turqia.
Mes viktimave, dyshohet e ka edhe shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, por pritet ende të bëhet verifikimi i kufomave.
Presidenti Ilir Meta shprehet se ndjen hidhërim të madh për humbjen e jetës së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut duke i uruar shërim të shpejtë të mbijetuarve.
“Hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut. Në këto çaste të rënda, i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit”, shkruan Meta.
Kryeministri Edi Rama shprehet se nuk ka fjalë për këtë tragjedi, ku pothuajse të gjithë udhëtarët kanë ndërruar jetë.
“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët… Dhimbje”, shkruan Rama.
Më herët ka reaguar edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave, teksa thotë se Shqipëria gjendet pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këto momente të vështira.
“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë!”, shkruan Xhaçka.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas tragjedisë me 45 viktima në Bullgari ku dyshohet se një pjesë e tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Basha përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkruan se është i shokuar nga kjo ngjarje e tmerrshme me jetën e kaq shumë jetëve mes tyre dhe bashkëkombas tanë dhe të mitur.
“I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashëkombas tanë e mes tyre shumë të mitur. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Zoti ju dhënë forcë në përballimin e kësaj dhimbje të tmerrshme”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




