Para

BSH: Inflacioni i importuar ndikoi mbi 50% në inflacionin në vend

Pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit.

Banka e Shqipërisë llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.

Banka qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

Presionet inflacioniste nga jashtë u rritën ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit, duke paralajmëruar një rritje të afërt të inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare. Pritshmëritë për inflacionin në të ardhmen e afërt maten kryesisht nëpërmjet Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) u zgjerua me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit të Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për muajin përkatës.

Rritja e këtij treguesi është përshpejtuar dukshëm krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kryesisht nën ndikimin e zgjerimit të fortë të çmimeve të huaja, me rreth 12.6% në terma vjetorë.  Kjo dukuri ka qenë e theksuar kryesisht gjatë muajve gusht dhe shtator. Nga ana tjetër, dinamika mbiçmuese e kursit të këmbimit paraqitet lehtësisht më e ngadaltë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Në terma vjetorë, mbiçmimi i kursit nominal efektiv të këmbimit vlerësohet në 3.3%, nga 4.9% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo tregon se në tremujorin e tretë kursi i këmbimit e ka amortizuar më pak efektin e rritjes së çmimeve të importit.

Nga analizat historike, është konstatuar se TPHI paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj. Rrjedhimisht, rritja e fortë e tij në tremujorin e tretë pritet të sjellë një kontribut në rritje të inflacionit të importuar sidomos duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm. Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri.

Sipas Instat, për tremujorin e tretë të këtij viti inflacioni mesatar u rrit në pothuajse 2.4%, nga 1.8% që kishte qenë në tremujorin e dytë dhe 0.9% në tremujorin e parë. Kontributin dërrmues në rritjen e inflacionit gjatë tremujorit të fundit e kanë dhënë grupet e Ushqimeve, Transportit dhe Energjisë.

Megjithatë, sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë, pritjet afatmesme për inflacionin të bizneseve dhe agjentëve financiarë kanë mbetur thuajse të pandryshuara krahasuar me ato të tremujorit të kaluar. Bizneset i kanë rishikuar për poshtë pritjet e tyre për inflacionin pas një viti me 0.2 pikë përqindje, duke shënuar vlerën 2.3%.

Agjentët financiarë kanë rishikuar lehtë për lart pritjet e tyre për inflacionin pas një viti në 2.2%, nga 2.1% në tremujorin e dytë. Luhatja më e madhe vihet re tek pritjet e konsumatorëve. Konsumatorët kanë rishikuar për lart pritjet për inflacionin pas një viti, në nivelin 4.9%, një rritje kjo me 1.6 pikë përqindje nga tremujori i dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë