Para

Kreditë me probleme bien në 6.5%, niveli më i ulët që nga nëntori 2008

Raporti i kredive vijoi rënien në muajin shtator ku sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ra në 6.5%, nga 6.9% që kishte qenë një muaj më parë.
Shtatori ka shënuar nivelin më të ulët të kredive me probleme i regjistruar që prej nëntorit të vitit 2008.
Deri tani, ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se parashikimet.

Mosrritja e raportit të kredive me probleme tregon se masat e përkohshme e kanë arritur qëllimin e tyre, që ishte dhënia e kohës së mjaftueshme që gjendja financiare e huamarrësve të rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë.

Kur ekonomia u prek nga efektet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%.
Për tremujorin e dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 17.9% dhe tejkaloi nivelet e vitit 2019, para pandemisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha këtë javë se portofoli i kredisë bankare u rrit me 8.9% në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, i diktuar nga zgjerimi i kredisë në lekë, i kredisë për qëllime investimi dhe i asaj për blerje banese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë