Një sasi prej 45.5 kg heroinë është zbuluar mbrëmjen e të hënës në një kamion në Portin e Durrësit. Në pranga, në kuadër të operacionit “Portëz”, kanë rënë pronari Arian Çerma, 45 vjeç nga Durrësi dhe drejtuesi i kamionit, Olgert Duda 36 vjeç, banues në Fier.
Policia thekson se kishte informacion në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë. Për këtë arsye ka kryer kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje.
Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë në kamionin tip “Scania” dhe i ngarkuar me krom me destinacion Italinë, fshehur në kabinë u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë. Drejtuesi i kamionit ka deklaruar se nuk kishte dijeni për drogën.
Kjo nuk është hera e parë që kapet drogë në Portin e Durrësit, që me sa duket përdoret nga trafikantët si rrugë për të transportuar sasi të mëdha narkotike.
Disa javë më parë, po në Portin e Durrësit, për të gjashtën herë u kap kokainë në kontejnerët me banane të kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.