Politike

Shkarkimi i Metës, Gjykata Kushtetuese vendos kalimin në seancë publike

Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim së shpejti kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta nga posti i tij.

Në njoftim, Kushtetuesja thekson se çështja do të kalojë në seancë publike, ndërsa data e saj do të caktohet në përputhje me rregullat proceduriale të Gjykimit Kushtetues.

Në seancën plenare të 9 qershorit të këtij viti, Kuvendi vendosi shkarkimin e Metës me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim.

Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të shprehet nëse gjetjet e Komisionit Hetimor për Metën përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Meta është presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që ndëshkohet me votë nga deputetët pas nismës së 55 deputetëve socialistë dhe hetimeve nga Komisioni i Posaçëm, pjesë të cilit ishin edhe deputetët e opozitës parlamentare.

Sipas akuzave të socialistëve, Meta ka qenë përgjegjës për nxitjen e konfliktit me deklaratat e tij para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti.

Tani, vendimi përfundimtar i mbetet Gjykatës Kushtetuese. Për largimin e Metës nga detyra, nevojiten 5 vota të anëtarëve të kësaj gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë