Jete & Stil

A mundet Covid-19 t’i bëjë njerëzit alergjik ndaj bojës së flokëve?

Duke pasur parasysh sa i ri është Covid-19, ka ende shumë gjëra për sëmundjen që ne nuk i dimë, sidomos efektet e saj afatgjata dhe mënyrën se si ato ndryshojnë midis individëve.

Një shembull i kësaj që është diskutuar javët e fundit më së shumti në Mbretërinë e Bashkuar janë reaksionet alergjike.

Që nga viti i kaluar, parukierët në Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar raste të klientëve që kanë reaksione alergjike, të tilla si skuqje dhe djegie kur lyejnë flokët me bojë pasi kanë kaluar koronavirusin.

Si rezultat, Federata Kombëtare e Flokëve dhe Bukurisë (NHBF), po këshillon parukierët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që gjithmonë të kryejnë teste të paktën 48 orë para se të përdorin bojë flokësh në flokët e klientëve të tyre për të shmangur reaksionet alergjike.

Por pse lyerja e flokëve mund të shkaktojë reaksione alergjike për ata që kanë kaluar virusin?

Ka disa raporte që kanë qarkulluar që nga dimri i kaluar në lidhje me këtë Cështje por një raport i ri në BBC ka treguar se vazhdon akoma të ketë klientë që raportojnë skuqje dhe djegie pasi lyejnë flokët.

Një grua e quajtur Gemma, e cila e ka kaluar Covidin, i tha mediave se ajo kishte djegie në kokë edhe pse kishte 10 vite që përdorte të njëjtën bojë.

“E gjithë koka ime, fytyra ime më digjte dhe thjesht nuk e dija se çfarë më kishte ndodhur”, tha ajo.

Gemma kohët e fundit ishte shëruar nga Covid-19.

Nëse keni qenë më parë pozitiv me koronavirus, a do të thotë kjo se do të keni një reaksion alergjik ndaj bojës së flokëve?

Ende nuk është e qartë saktësisht pse njerëzit që kanë pasur më parë Covid-19 mund të përjetojnë një reaksion alergjik ndaj bojës së flokëve. Sidoqoftë, studiuesit në Imperial College London aktualisht po shikojnë pse dhe si koronavirusi mund të ndikojë në sistemin tonë imunitar.

NHBF ka sugjeruar më parë se reagimi mund të jetë për shkak të rritjes së ndjeshmërisë së lëkurës tek njerëzit që nuk i kanë lyer flokët për një periudhë të gjatë kohore kur njerëzit ishin në izolim.

NHS (Shërbimi Shëndetësor kombëtar) thotë se alergjitë ndodhin kur sistemi imunitar i trupit reagon ndaj një substance të caktuar sikur të jetë e dëmshme.

Çfarë thotë NHBF?

Një deklaratë nga Richard Lambert, shefi ekzekutiv i Federatës Kombëtare të Flokëve dhe Bukurisë (NHBF), thotë se nuk ka asnjë dëshmi shkencore për të mbështetur pretendimin se Covid shton një reaksion alergjik ndaj bojës së flokëve ose ndonjë trajtimi tjetër të flokëve dhe bukurisë. Një reaksion alergjik mund të ndodhë në çdo kohë për shkak të një numri faktorësh, nga të cilët një është një sistem i dobët imunitar.

Gjithsesi, për të shmangur çdo shqetësim, tashmë parukeritë kërkojnë një test çdo gjashtë muaj nga klientët.

Burimi: The Independent. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë