Pas gati nëntë muajsh i zhdukur, ndërsa familja e tij e dinte të shkrumbuar në një makinë në Gjegjan të Pukës (një vrasje që ai e kishte simuluar vetë), Davide Pecorelli ka qenë “në një komunitet priftërinjsh pranë Medjugories”, (një vend i shenjtë pranë Bosnjë Hercegovinës), “në sajë të ndihmës së një prifti katolik të njohur në Shqipëri”. Por nuk është akoma e specifikuar nëse prifti është shqiptar apo italian.
Për t’u rishfaqur dhe zbuluar rastësisht në një gomone të marrë me qira, e cila rrezikoi mbytjen në brigjet e Livornos. Ai mbante një identitet të rremë në Giglio, pranë ishullit Montecristo, ku është e ndaluar të lundrohet.
LEXO EDHE:
– “Dua të shoh fëmijët, pastaj do flas”. Misteret e pazgjidhura të biznesmenit të zhdukur në Shqipëri
– Nga zhdukja, djegia e makinës, eshtrat, te gomonia në det ku rrezikoi mbytjen. Pse Pecorelli sajoi vdekjen makabre në Shqipëri
– Sipërmarrësi italian zhduket në Shqipëri, gruaja: Nuk e di a kishte konflikt me ndonjë
Mediat italiane, kanë zbardhur një pjesë të dëshmisë që ai ka bërë përpara hetuesve në Prokurorinë e Perugias mbrëmjen e të hënës.
Gazeta italiane “La Nazione”, shkruan se biznesmeni 45-vjeçar ishte zhdukur duke pranuar problemet financiare që ai kishte me sipërmarrjen e tij në fushën e produkteve të kozmetikës.
Bazuar në dëshminë përpara hetuesve italianë, tashmë është konfirmuar edhe një pistë që ka qarkulluar në mediat e vendit fqinj, se Davide Pecorelli është një koleksionues monedhash antike.
E për të konfirmuar këtë, ai u ka thënë prokurorëve se po kërkonte pikërisht një “thesar monedhash” në ishullin ku u gjet mbi gomone. Aq sa në hotel, ai mbante objekte që sugjeronin pasionin e tij për monedhat e vjetra.
Kur u gjet në det mbi gomonen që kishte pësuar defekt, Pecorelli kishte me vete një hartë, një kazmë dhe një lopatë ndoshta për të kërkuar thesarin e pretenduar.
Ai madje kishte marrë me qira një garazh ku do të duhej të mbante sendet e çmuara. Në hartë ishin shenjuar disa pika të ishullit Montecristo.
Pecorelli ka pranuar problemet ekonomike, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ai u zhduk duke inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri.
“Vendosa të zhdukem, sepse u mposhta nga problemet ekonomike. Praktikisht jam i shkatërruar”, ka thënë ai ndër të tjera gjatë dëshmisë 3-orëshe përballë prokurorëve italianë.
Megjithatë, Pecorelli pohoi se në tetor kishte planifikuar që të kthehej në shtëpi, pavarësisht se u demaskua përpara kohe.
Sipërmarrësi italian u zbulua, pasi u detyrua të njoftonte autoritetet për shkak të defektit që i pësoi gomonia në det pranë ishullit Montecristo dhe të pohonte motivin e kërkimeve të tij në ishullin e legjendës së thesarit të fshehur.
Përveç kësaj, 45-vjeçari nuk njihej, pasi kishte ndryshuar edhe “look”: veç maskës anti-Covid, flokët i kishte zgjatur dhe lyer me fije të verdha, ishte dobësuar dhe mbante një kapelë.
Ndërsa javën e kaluar, ai kishte përdorur kartën e bankës ende aktive për të tërhequr para nga një bankomat në Romë.
“Anëtarët e familjes time nuk e dinin se ku isha dhe arsyeja e zhdukjes nuk ka të bëjë me siguracionin e jetës. Kam qenë sipërmarrës për 30 vjet”, ka thënë Pecorelli në Prokurorinë e Perugias.
Pas marrjes në pyetje, mbrëmë Pecorelli pranoi për gazetarët italianë se është i vetëdijshëm që edhe në Shqipëri ka kryer vepër penale, pasi i vendosi zjarrin makinës që kishte marrë me qira dhe brenda mjetit u gjetën mbetje kockore.
Këto mbetje nuk janë identifikuar ende kujt i përkasin, por dyshohet se janë marrë nga një varr i vjetër në Pukë. “Nuk kisha asgjë për të fshehur”, – u ka thënë ai gazetarëve jashtë dyerve të Prokurorisë.
Megjithatë, këto gati nëntë muaj mister në aksin Shqipëri-Itali, fshehin dëshirën për t’u zhdukur. Hetuesit, sidomos muajt e fundit, kishin vënë bast që ai ishte i gjallë: e dëshmonin disa të dhëna, përfshirë përgjimet telefonike.
Pastaj, të dielën e kaluar, ka përdorur kartën e kreditit, e regjistruar bashkërisht me partneren e tij shqiptare: dy tërheqje prej 250 eurosh në Romë.
Policët e kuptojnë se ish-gjyqtari sportiv është në tokën italiane. Dje ai shtoi se kishte marrë një autobus nga Medjogurje për të arritur në Itali dhe një tren nga Roma në Toscana për të mbërritur në Montecristo.
Gomonia që rrezikoi mbytjen të premten e kaluar, me motorin që u prish, deti i trazuar jashtë ishullit legjendar, e bëri atë të zhytet përsëri në një realitet që ai donte ta shmangte. “Unë dua të flas me hetuesit”, – i pati thënë ai karabinierëve që e ndaluan. Dhe një ditë më parë u paraqit në prokurori.
“Ka detaje tragjike në këtë histori”, – vijoi ai. – Tani dua të shkoj te fëmijët e mi, e vetmja gjë e sigurt është se nuk do të jem më sipërmarrës në Itali”. Ndoshta ai ka më shumë aftësi si një romancier.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.