Ana e errët

“Dua të shoh fëmijët, pastaj do flas”. Misteret e pazgjidhura të biznesmenit të zhdukur në Shqipëri

Në orën 9 të mëngjesit të së shtunës, 260 ditë, pasi u nis për në punë në Shqipëri, Davide Pecorelli, 45 vjeç, kaloi derën e shtëpisë së tij në Selci di San Giustino në Umbria ku jetonte, para se të zhdukej (me dyshimin se ishte ekzekutuar), me partneren e tij shqiptare dhe djalin e tij vetëm një vjeçar.

Të dielën në mëngjes ai shkoi për të parë tre fëmijët që kishte me gruan e tij të parë italiane. "Më duhet t'i shoh", tha ai ndërsa ikte nga kazermat e karabinierëve në Piombino, ku ishte identifikuar pas rrezikut të mbytjes së gomones ku u gjet në brigjet e Livornos.

Para ndihmës prokurorit Giuseppe Petrazzini, këtë të hënë në prokurori, biznesmeni dhe ish-gjyqtari italian, do t’i duhet të shpjegojë gati nëntë muaj heshtje plot mister.

Përfshirë dhe ankthin e një vrasjeje në fshatin Gjegjan të Pukës. Dhe pastaj, kur të njëjtët hetues ishin të sigurt se ai ishte gjallë, ai nuk u kthye.

Për t'u rishfaqur, me flokë të gjatë dhe dokumente të rreme, në një gomone të dëmtuar jashtë ishullit të paarritshëm të Montecristo-s, pasi kishte kaluar dy netë në hotelin Giglio, si një turist.

Të dielën Pecorelli duhej të kishte shkuar në Romë: kartën e kreditit të mbajtur së bashku me partneren e tij, e përdori për të tërhequr parà për herë të parë që nga janari. Është një histori misterioze me aspekte gati trilluese, e denjë për një film hollivudian kjo e tij.

Fillimisht prokurori i Peruxhias, kishte hapur një dosje për vrasje me dashje dhe trafik droge, por informacioni nga policia italiane, kishte siguruar elementë të caktuar të ekzistencës së sipërmarrësit në jetë, duke marrë gjithashtu parasysh çështje serioze kritike që u shfaqën në një nivel financiar.

Një dosje e hapur për prokurorin e Arezzo-s, për falimentimin e kompanisë së tij në Toskanë, si dhe raporte paraprake për t'u sqaruar dhe vulat e vendosura në derën e parukerisë në Sansepolcro.

Një situatë e vështirë, që Pecorelli ndoshta u përpoq ta zgjidhte përmes udhëtimit të tij në Shqipëri, zyrtarisht për të shitur - në pandemi të plotë - produkte bukurie.

Por më 6 janar, fotot e makinës së djegur me sendet personale të Pecorelli-t brenda (përfshirë celularin që mbeti i paprekur pavarësisht nga flakët) dhe fragmentet e eshtrave të gjetura në makinën ‘Skoda’ të marrë me qira në aeroport, çuan në hipotezën e më të keqes.

Edhe pse më vonë u regjistruan anomali nga autoritetet gjyqësore shqiptare, të cilat dërguan mikro-fragmente eshtrash në Itali, duke qenë e pamundur të nxirret ADN-ja. Pecorelli, këtë të hënë (20 shtator), duhet të paraqitet si dëshmitar - dhe për këtë arsye vetëm - në zyrën e prokurorit.

Zhdukja nuk është krim. Dhe çdo simulim i një vrasjeje të pakapshme dhe joekzistente, do të ishte kryer jashtë kufijve territorialë dhe ligjorë.

Sidoqoftë, sipërmarrësi duhet të përgjigjet për një krim të simuluar: në hotelin në Giglio dhe kompanisë së marrjes me qira të gomoneve, ai i ofroi një dokument me foton e tij dhe emrin e një tjetri, ndërsa licenca e tij 'e vërtetë' ishte fshehur në dhomën e tij.

Dyshimet që duhen zgjidhur, janë të shumta. Pse Pecorelli nuk donte të gjendej dhe vetëm kushtet e pafavorshme të detit dhe motori i dëmtuar e bënë atë të "rishfaqet" në jetën e tij “të dytë”?

Dhe pse ai u deklaroi menjëherë identitetin e tij të vërtetë karabinierëve të Montecristo-s, duke kërkuar të fliste me Prokurorinë e Peruxhias?

Çdo problem në Shqipëri ose vështirësitë financiare që mund t’i jenë shfaqur, mund ta kenë vënë atë para problemeve ose në rrezik.

Burimi: “La Nazione”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë