Dosje

Inskenoi vdekjen në Pukë, biznesmeni italian: Jam gati të kthehem në Shqipëri dhe të bëj burg

Edhe pse ka kaluar më pak se një vit, ai është gati të paguajë për krimet e kryera në Shqipëri. Davide Pecorelli shpreh gatishmërinë e tij për t'u kthyer në Tokën e Shqiponjave për të vuajtur çdo dënim.

Në ditët në vijim, Prokuroria e Pukës (vendi nga ku në fillim të janarit të këtij viti sipërmarrësi kishte inskenuar vdekjen), mund të kërkojë gjykimin ndaj Pecorellit për zjarrvënie të makinave dhe vjedhje të eshtrave të njerëzve nga një varr. Akuza jo shumë të rënda, por që mund të çojnë në burg.

Njeriu që inskenoi vdekjen e tij në Pukë dhe më pas u zbulua se ishte gjallë dhe gjithçka e justifikoi se e kishte bërë me argumentin se sipërmarrja e tij falimentoi, deklaron se është gati që të rikthehet në Shqipëri ku e presin disa akuza dhe rrezikon burgun.

“Jam i gatshëm të përfundoj pas hekurave në Shqipëri, - thotë ish-gjyqtari sportiv italian, - dua të kthehem, aty kam lënë miq dhe vende që dua. Nëse dënimi është i drejtë, unë do të paguaj për atë do të akuzohem”.

Për mediat italiane, ai shprehet se ka kërkuar falje. “Po, meqë ra fjala, tashmë i kam kërkuar falje të gjithëve në Shqipëri, përfshirë kryetarin e Bashkisë Pukë dhe në çdo rast të gjithë komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime, - kujton ai. - Siç dihet, kur mbërrita në Tiranë në janar, po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time. U përpoqa të bëja vetëvrasje dhe ai prifti që takova rastësisht më shpëtoi. Atëherë ju e dini historinë, periudha në bashkësinë e priftërinjve në Medjugorje ishte thelbësore: ënë do t’u jem mirënjohës atyre përgjithmonë”.

I pyetur nëse është i sigurt për t'u kthyer në Shqipëri dhe të bëjë burg ai tha: “E kuptoj që është një zgjedhje e rëndësishme, por nëse kjo më jep mundësinë të jem qytetar i lirë edhe në Shqipëri, atëherë jam gati për çdo gjë.

Për sa i përket planeve për të ardhmen, Pecorelli tha: “Siç e kam theksuar disa herë, synimi im është të themeloj një shoqatë për të mbështetur ata që, si në rastin tim, po përballen me krizë për shkak të punës. Tani jam me familjen, me 4 fëmijët e mi. Do të përpiqem t’i rikthehem jetës së përditshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë