Ana e errët

Nuk i mjaftoi thesari në ishull, Davide Pecorelli kërkon ndihmë për të gjetur punë

Historia e Davide Pecorellit sa vjen e bëhet gjithnjë e më interesante. Edhe pse arriti të gjejë thesarin në ishullin Montecristo në brigjet e Livornos, biznesmeni italian “i zhdukur” në Shqipëri, duket se është në vështirësi ekonomike.

Shtypi italian, shkruan se ish-gjyqtari sportiv, i ka kërkuar organizatës Caritas di Citta në Castello, që ta ndihmojnë dhe t’i gjejnë një punë, qoftë edhe si punëtor për të mbajtur familjen.

Caritas, është një organizatë që mbështet njerëzit dhe familjet që janë në vështirësi ekonomike. Pecorelli nuk është më titullar në aktivitetet e tij të sipërmarrjes, ndaj i duhet të punojë për të siguruar të ardhura dhe ndoshta edhe për të shlyer ndonjë borxh, siç ka konfirmuar vetë.

“Vështirësitë e mia ekonomike janë të qarta dhe kanë zgjatur prej muajsh, që kur jam nisur për Shqipëri. Në këtë fazë më duhet që të rifutem në lojë, duhet të mendoj për fëmijët, edhe pse e përsëris që nuk do të jem më sipërmarrës në Itali”, ka thënë Pecorelli, sipas asaj që raporton gazeta “La Nazione”. Megjithatë, 45-vjeçari pritet të japë llogari këtë të martë për historinë e tij të thesarit të gjetur në ishullin Montecristo.

Ai është nën hetim në Itali në gjendje të lirë me akuzën e përvetësimit të mallrave të vjedhura, në lidhje me thesarin e grabitur në vitin 2019 nga persona të tjerë.

Pecorelli pritet që të pyetet edhe për garazhin që ka pretenduar se ka marrë me qira për tre muaj në ishullin Giglio, ku qëndronte në një dhomë hoteli me gjeneralitete të rreme.

Në këtë dhomë, janë konfiskuar rreth 20 lista me karta fotografike me detaje për monedhat antike, tre harta të ishullit Montecristo, libri i Komedisë Hyjnore dhe çelësi i garazhit.

Davide Pecorelli u zhduk për rreth 9 muaj me radhë. Ai sajoi vdekjen e tij, duke djegur makinën në Pukë dhe më pas u zhduk, duke ngjallur dyshime të forta se kishte ndërruar jetë.

Por gjithçka u zbulua rastësisht një muaj më parë, për shkak se gomonia të cilën e kishte marrë me qira pësoi një avari në mes të detit dhe u detyrua që të kërkonte ndihmë nga autoritetet.

Italiani, i cili që mendohej se kishte i vdekur, në fakt shijonte jetën në Vlorë. Përpos drejtësisë italiane ai mund të ballafaqohet edhe me atë shqiptare.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë