Ka ndodhur

Sipërmarrësi italian zhduket në Shqipëri, gruaja: Nuk e di a kishte konflikt me ndonjë

Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja për zhdukjen në Shqipëri të sipërmarrësit Davide Pecorelli, pronar i disa bizneseve në fushën e estetikës dhe ish-arbitër në Arezzo.

Sipas medias italiane, “La Nazione” për 45-vjeçarin nuk dihet më asgjë që prej 6 janarit, kur mori një makinë me qira në Tiranë, e cila u gjet tërësisht e djegur natën mes 7 dhe 8 janarit në zonën e Gjegjanit, në Pukë, një zonë e izoluar mes maleve.

Burime të policisë lokale për mediat italiane konfirmojnë se hetimet mbi fatin e sipërmarrësit italian po vijojnë dhe nuk përjashtohet asnjë pistë. Hetimet mësohet se po ndiqen edhe nga Interpol. Nuk është ende e qartë nëse brenda makinës Skoda Fabia janë gjetur ose jo pjesë njeriu.

Ndërkohë La Nazione thotë se është fakt që partnerja e tij, një shqiptare e cila jeton në Valtiberina, i ka sjellë policisë sende personale të sipërmarrësit, të nevojshme për krahasimin e ADN-së.  

Falë ndihmës së partneres së tij shqiptare, ai kishte filluar të ushtronte një biznes edhe në Shqipëri.

“Nuk e di nëse Davide ka shkelur dikë në kallo”. Kjo është fjalia që partnerja e tij u ka thënë dhjetëra punonjësve të parukerisë në pronësi të tyre, në qendrën tregtare në Valtiberino. 

Por përse kishte ardhur Pecorelli në Shqipëri?

Kohët e fundit ai mësohet se udhëtonte shpesh drejt vendit tonë, për çështje biznesi, kryesisht për tregtinë e lazerave për qendrat estetike dhe produktet e flokëve. Mbi të gjitha lazerat janë makineri të kushtueshme, e mesa duket mes Tiranës dhe Vlorës, Pecorelli po përpiqej që të gjente klientë.

Po sipas “La Nazione”, kjo lëvizje e 45-vjeçarit duket se vinte edhe për shkak se në Itali, biznesi nuk po i shkonte mirë si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia.

Ish-arbitri kishte probleme si me hotelin me dy yje në Lama, ashtu sikurse edhe me qendrat estetike dhe dyqanet e parukerive në San Giustino, Sansepolcro, Città di Castello dhe Corciano.

Ngjarja

Davide Pecorelli mbërriti në Tiranë ditët e para të vitit. Në aeroport, ai mori me qira një makinë Skoda Fabia, që u gjet më 7 janar e shkrumbuar përgjatë rrugës Gjegjan-Reps në Pukë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.

Sipas La Nazione, nga ky moment nisën menjëherë kërkimet për Pecorelli-n, ndërsa ambasada shqiptare në Tiranë njoftoi të afërmit e tij dhe autoritetet policore. “Gjatë këtyre ditëve, në Tiranë janë sjellë edhe objekte të tjera në pronësi të sipërmarrësit, për të krahasuar ADN-në e tij, ndonëse nuk është ende e qartë nëse makinë janë gjetur pjesë njeriu”, shkruan La Nazione.

Sigurisht nuk përjashtohet edhe mundësia që Davide Pecorelli mund të ketë vendosur që të zhduket vetë, pasi mund të ndihej i kërcënuar.

Gjithsesi deri më tani fati i sipërmarrësit italian mbetet i panjohur dhe mediat italiane theksojnë se autoritetet po presin testin e ADN-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë