Para

Në krahasim me parakrizën, turistët e huaj sollën 167 mln euro më pak për 6-mujorin e parë

Pas një viti të kaluar me turizëm patriotik, sezoni i këtij viti filloi të gjallërohej disi në 6-mujorin e parë, por megjithatë ai mbetet ende nën nivelet e parakrizës.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 687 milionë euro në 6 mujorin e parë të vitit, duke pësuar një rënie me 20% ose 167 milionë euro më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, i cili konsiderohet si viti më i mirë i turizmit.

Për të njëjtën periudhë në vend hynë rreth 1.7 milionë shtetas të huaj sipas të dhënave të INSTAT, duke u tkurrur me 21% në krahasim me periudhën janar-qershor 2019.

Megjithatë të dhënat e BSH-së tregojnë se hendeku me parakrizën ka filluar të ngushtohet që në tremujorin e dytë të vitit, teksa tkurrja ishte 11.6% në raport me periudhën përkatëse, nga 31% në tremujorin e parë.

Të dhënat e fundit nga Tirana International Airport (TIA) bëjnë të ditur se për 6-mujorin e parë kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë duke u zgjeruar me 76% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në 6 mujorin e parë, daljet e shtetasve shqiptarë ishin rreth 36% më të ulëta se e njëjta periudhë e 2019-s dhe rrjedhimisht edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme.

Ato ishin rreth 400 milionë euro për periudhën janar- qershor 2021, me një tkurrje prej 43% në krahasim me 6 mujorin 2019, ose rreth 300 milionë euro më pak.

Strukturat akomoduese për 2021 punuan me kapacitet të plotë, pas një vere e cila e ktheu vëmendjen e shqiptarëve tek pushimet në Shqipëri për shkak të kufizimit të lëvizjeve që u zbatuan nga shumë shtete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë