Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, paga mesatare mujore në Shqipëri u rrit me 4.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Sipas Instat, paga mesatare mujore ka arritur në shifrën e 56.710 lekëve, për herë të parë nga rëniet e vazhdueshme prej tashmë një viti.

Rritjen më të lartë e shënon paga mesatare mujore e punonjësve në sektorin e tregtisë, transportit, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve, prej 9.2%.
Rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme; Aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike; Aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse prej 0.7%.
Paga e punonjësve të informacionit dhe komunikacionit bashkë me ato të shërbimeve financiare renditen si më të mirat në vend me mbi 100.000 dhe 120.000 respektivisht..
“Gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2.13 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 36.7% më e ulët”, raportoi INSTAT.
Përmirësimi në tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor gjatë tremujorit të dytë të këtij viti duket se lidhet me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik që u pasqyrua dhe nga niveli I inflacionit,por edhe nga ndryshimet sociale dhe mungesa e kufizimeve nga një vit më parë.
Në aspektin e grup profesioneve INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të dytë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Menaxherëve është 74.3% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 38.7% më e ulët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



