Para

Bizneset po marrin më shumë kredi për investime

Huaja e re për qëllime të blerjes së pasurive të paluajtshme dhe pajisjeve për 7-mujorin 2021 arriti në 29.5 miliardë lekë, duke u rritur me 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Këtë vit, 34.5% e kredisë së re është marrë për qëllime investimi, ndërsa vitin e kaluar kredia për këtë qëllim përbënte vetëm 30.6% të disbursimeve të reja.

Optimizmi i ringjallur rreth tregut të pronave ka përfshirë edhe sipërmarrjen, me rritje të investimit në këto asete. Kredia e re për pasuri të paluajtshme tek bizneset në 7 muajt e parë të këtij viti arriti në 16.2 miliardë lekë, me një rritje prej pothuajse 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e kreditimit me qëllim financimin e investimeve po sjell ndryshime edhe në strukturën e portofolit të huamarrjes. Kredia për investime përbën 56.2% të portofolit total, nga 53.6% që ishte pesha e saj specifike një vit më parë.

Investimet iu kthyen rritjes pozitive që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, të mbështetura nga ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit.

Një ndikim të konsiderueshëm vlerësohet se kanë pasur edhe shpenzimet publike, sidomos ato të lidhura me programin e rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit 2019.

Për 7-mujorin 2021, shpenzimet kapitale në buxhetin e shtetit janë rritur me 10.6% krahasuar me një vit më parë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë