Totali i aktiveve bankare në fund të qershorit arriti vlerën e 1.645 trilionë lekëve duke u rritur me rreth 7.7% me bazë vjetore ose rreth 1 mld euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Rritja e sektorit bankar është mbështetur kryesisht te veprimet me letrat me vlerë, por edhe huadhënia ka shënuar një rritje më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i letrave me vlerë në fund të qershorit arriti në 523 miliardë lekë, në rritje me rreth 25 miliardë lekë (5%) gjatë tremujorit të dytë.
Ky zë i aktiveve vazhdon të ketë edhe normat më të larta të rritjes vjetore, me rreth 8% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Për shkak të normave shumë të ulëta të interesit për vendosjet dhe depozitat në euro, bankat po investojnë më shumë në tituj, me qëllim përmirësimin e kthimit nga fondet në valutë. Në mesin e këtij viti, sektori bankar kishte rreth 824 miliardë lekë pasive në valutë.
Megjithëse veprimet me titujt kryesuan rritjen e sektorit edhe në tremujorin e dytë, huadhënia u rrit me ritëm më të shpejtë krahasuar me një tremujor më parë, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktiveve të sektorit bankar.
Portofoli bruto i huasë arriti vlerën e 625 miliardë lekëve, rreth 14 miliardë lekë (2.2%) më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 35 miliardë lekë (6%) më shumë krahasuar me një vit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



