Art dhe Kulture

Dita Botërore e Fotografisë, pse festohet më 19 gusht

Përjetësimi i momentit, kapja e momentit dhe pastaj ta rijetosh atë moment sërish e sërish pas kohësh, vitesh, shekujsh… kjo është fuqia e madhe e fotografisë: të sigurohesh që një sekondë të zgjasë përgjithmonë. Një art i vërtetë që nuk përfundon në gjestin mekanik të “marrjes së një fotografie”, por pasurohet me drita, hije dhe ndjesi, me synimin për të ngjallur një emocion tek shikuesi. Fotografia festohet më 19 gusht të çdo viti me Ditën Botërore të Fotografisë, pikërisht për të mos harruar rëndësinë e kësaj risie, e cila sot na duket e qartë, por që në atë kohë ishte një arritje e madhe.

Dita Botërore e Fotografisë u krijua në vitin 2010 nga fotografi australian, Korske Ara. Kjo datë nuk u zgjodh rastësisht: është e njëjta ditë në të cilën në 1839 fizikani François Arago i paraqiti “daguerreotipin”, procesin e parë fotografik për zhvillimin e imazheve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve Pamore në Paris. E zhvilluar nga francezi Louis Jaques Mandé Daguerre, kjo procedurë siguroi një kopje të vetme pozitive, jo të riprodhueshme, në një mbështetës të sensibilizuar argjendi ose bakri, në një dhomë të errët, përmes ekspozimit ndaj avujve të jodit.

Historia e fotografisë

Fotografia e parë e njohur që u quajt “heliografi” daton megjithatë në vitin 1826 dhe është marrë nga Niépce: është një imazh i peizazhit jashtë studios së tij i impresionuar në një pjatë kallaji të sensibilizuar me bitum jude. Sidoqoftë, koha e ekspozimit ishte mbi 8 orë.

Zbulimi i procesit të ri nga Daguerre bëri të mundur uljen e kësaj kohe në rreth 15 minuta. Kërkimi i një mjeti për të prodhuar “automatikisht” imazhe në një perspektivë të përsosur dhe për të regjistruar objektivisht botën daton që nga viti 1839, data zyrtare e shpikjes së fotografisë. Në veçanti, arti dhe teknika për të “mësuar përmendsh shikimin” u zhvilluan me konceptimin dhe përmirësimin e dhomës së errët, një pajisje optike që përbëhet nga një kuti me një vrimë të vogël.

Drita që kalon nëpër vrimë projekton, në murin e kundërt të kutisë, imazhin e zvogëluar dhe të përmbysur të objektit të vëzhguar. Fenomeni, i studiuar tashmë nga Aristoteli në shekullin e katërt para Krishtit, gjeti aplikim të gjerë në mesin e artistëve të Rilindjes, të cilët, siç u propozua nga Giovan Battista Della Porta (1535-1615) në Magiae naturalis, në vitin 1558, përdorën dhomën e errët si ndihmë e dobishme për pikturë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë