Rreth 10 mijë individë kanë deklaruar më shumë se 2 milionë lekë të ardhura vjetore për vitin 2020, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në krahasim me vitin e kaluar, numri i këtyre individëve është reduktuar me 20%.

Detyrimin për të deklaruar e kanë rreth 12 mijë persona, por Tatimet pohojnë se vetëm 9,913 persona e kanë plotësuar atë deri tani, ku afati i fundit i deklarimit ishte 30 qershori.
Këtë vit, për herë të parë kishin detyrimin e deklarimit të të ardhurave të 2020-s edhe të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.
Tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që nga ata që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve është rreth 460 milionë lekë, ose rreth 3.7 milionë euro.
Në total, sipas tatimeve, pagesa me bankë për DIVA 2020 është 913.1 milionë lekë, ose rreth 7.4 milionë euro. Një vit më parë, kjo pagesë ishte rreth 502 milionë lekë (4 milionë euro), sipas të dhënave nga raporti vjetor 2020.
Rritja është rreth 82%, e ndikuar kryesisht nga futja e të punësuarve me të ardhura nën 2 milionë lekë në skemë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



