Para

Banka e Shqipërisë bleu 10.7 milionë Euro në ankandin e valutës

Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e rradhës në programin vjetor të blerjeve të Euros në tregun valutor ku u blenë gjithsej 10.7 milionë Euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 14.4 milionë Eurove.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë Eurove. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 122.25 dhe 122.33 Lekëve.

Veç gjashtë milionë Eurove në raundin e parë, BSH ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 4.7 milionë Euro të tjera ku blerjet në këtë raund u realizuan me kursin mesatar të ponderuar të raundit të parë, prej 122.3 Lekësh.

Në fund të muajit maj, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.96 miliardë Eurove, 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për këtë vit janë planifikuar 14 ankande dhe në total, shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është deri në 84 milionë Euro. Por, zakonisht Banka e Shqipërisë ushtron edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, ndaj shumat e blera priten të jenë më të mëdha.

Blerjet e Euros nga BSH-ja u rritën ndjeshëm pas vitit 2017 dhe arritën shifrën rekord të gati 155 milionë Eurove në vitin 2019. Kjo tendencë u frenua vitin e kaluar, kur për shkak të krizës së Covid-19 u zhvilluan vetëm dy ankande, për një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë Eurosh. Këtë vit, kjo shumë u tejkalua që në tremujorin e parë, kur banka e Shqipërisë bleu gjithsej 16.1 milionë Euro.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë po aplikon rregulloren e re “Për ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor”.

Ndryshe nga rregullorja e mëparshme, që parashikonte se në ankande mund të merrnin pjesë vetëm bankat ose degët e bankave të huaja, rregullorja e re lë hapësira që në ankande të marrin pjesë edhe zyrat e këmbimit valutor, nëse kjo vlerësohet e nevojshme nga Banka e Shqipërisë. Për pjesëmarrësit në ankand është hequr shuma tavan prej 5 milionë Eurosh e parashikuar në rregulloren e mëparshme, ndërsa për pjesëmarrje kërkohet vetëm një shumë minimale në vlerën 100 mijë Euro ose ekuivalentin në monedha të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë