Normat e interesit të kreditimit të individëve nga sektori bankar po vijojnë të qëndrojnë në nivele të ulëta edhe këtë vit.
Interesi mesatar i kredive të reja në lekë për pesë muajt e parë të vitit ishte 6.51%, nga 6.52% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Rënia në terma mesatarë është edhe më e ndjeshme për euron, në nivelin 3.6%, nga 3.75% që kishte qenë një vit më parë.
Kredia konsumatore në lekë, si për mallra të qëndrueshëm, ashtu edhe për mallrat e paqëndrueshëm, këtë vit është dhënë mesatarisht me një normë interesi pak më të lartë se 8%, afërsisht një pikë përqindje më shumë se nivelet e shënuara gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Edhe overdraftet kanë shënuar një rritje të lehtë në 11.8%, nga 11.6% që kishin qenë një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për blerje banesash në lekë në pesë muajt e parë të 2021 u dha me një normë mesatare interesi prej 3.57%, nga 3.68% për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa për euron ky tregues ra në 3.11%, nga 3.28 që kishte qenë për 5-mujorin 2020.

Kredia për blerje banesash është produkti me ecurinë më të mirë në vitet e fundit dhe konkurrenca mes bankave duket e lartë. Në pesë muajt e parë të këtij viti, bankat disbursuan një shifër rekord prej 14.3 miliardë lekësh ose gati 117 milionë eurosh kredi të reja për shtëpi.
Kredia e re për shtëpi është rritur me 76% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit në fund të muajit maj 2021 arriti në 133.5 miliardë lekë ose rreth 1.1 miliardë eurove.
Rritja e depozitave dhe mbështetja e lartë me likuiditet nga Banka e Shqipërisë kanë bërë që rreziqet të mbahen nën kontroll dhe normat e interesit të mos rriten as pas krizës ekonomike që shkaktoi pandemia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



