Në raportin e 4 mujorit të parë 2021 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përqindjen më të madhe të realizimit të planit buxhetor e kishte ndarja “Menaxhimi i mbetjeve urbane” me 600 milionë lekë shpenzime korrente me 86% realizimit të planit dhe 905 milionë shpenzime kapitale me 44% realizim të planit.
512 milionë lekë nga shpenzimet korrente kanë shkuar për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.

Në raport thuhet se bashkë me të janë në zhvillim edhe projektet e tjera si: “Ndërtim Inceneratori i Fierit”, “Ndërtim Inceneratori i Elbasanit”, “Mbyllja dhe rehabilitimi i venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko Park Durrës”, “Ndërtim i venddepozimit Bushat, faza II, “Punime shtesë të impiantit të trajtimit të ujrave dhe shtresave të landfillit Bajkaj”.
Një tjetër sektor me ecuri pozitive të planit buxhetor për 4 muajt e kaluar ishte ai i ndërtimit të rrugëve me 493 milionë lekë shpenzime korrente në masën 38% të planit. Nga këto shpenzime 47 milionë shkuan për shpenzime administrative dhe 446 milionë për mirëmbajtjen e rrugëve.
Shpenzimet kapitale për ndërtimin e rrugëve maten në 2 miliardë lekë me 37% të realizimit të planit.
Këto shpenzime lidhen me projektet e përcaktuara si:
“Ndёrtim rruge tip A me katër korsi (2×2) sipas Standarteve të Reja, Ndёrtim rruge tip A2’ 2×2 me trotuare dhe ndriçim Ndёrtim rruge tip B1’ me dy korsi, Ndёrtim rruge tip C2 me dy korsi, Ndërtim rruge A e modifikuar”, përfshirë edhe vendosjen e sinjalistikave dhe ndërtimin e disa urave.
Transporti detar gjithashtu ka arritur në 27% të realizimit të shpenzimeve korrente dhe në 71% të realizimit të atyre kapitale. Me 27 dhe 35 milionë lekë respektivisht.
Në dokument thuhet se pjesa më e madhe e shpenzimeve janë të lidhura me mjetet ujore, shpenzimet administrative në Drejtoritë Detare, pajisje navigimi , rikonstruksione etj.
Një sektor që nuk ka pasur asnjë fond në dispozicion është ai i mbështetjes së rrjeteve të komunikacionit, por në raport thuhet se është bërë një kërkesë për fonde shtesë me financim të brendshëm dhe të huaj.
Sektori i energjisë ka pasur realizimin më të ulët të planit në vetëm 1%, për katër muajt e parë të vitit 2021.
Në ndarjen “Planifikimi Urban” projekti më i madh për vitin 2021 cilësohet ai i ndërtimit të një linje transporti miqësore me mjedisin, financuar nga jashtë nga GIZ me 220 milionë lekë. Projekt i Bashkisë së Tiranës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



