Ndryshe nga sektori bankar, kreditë e këqija të institucioneve të tjera financiare të huadhënies, shënuan rritje, me rreth 1.5 pikë përqindje më shumë krahasuar me një vit më parë duke arritur në 11.2.% sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Analiza e BSH evidenton se rritja e këtij raporti është ndikuar tërësisht nga portofoli i mikrokredisë. Në ecurinë e këtij treguesi kanë ndikuar edhe kërkesat mbikëqyrëse, zbatimi rigoroz i të cilave është verifikuar gjatë ekzaminimeve në vend dhe ka sjellë rritje të shumës dhe numrit të kredive të klasifikuara me probleme.
Për institucionet financiare jo-banka efekti i pandemisë rezultoi më i ndjeshëm sesa për bankat, për arsye se institucionet janë të ekspozuara tek klientë me rrezik më të lartë dhe të brishtë ndaj goditjeve të papritura. Kriza dha një efekt më të dukshëm tek individët, të vetë punësuarit dhe bizneset e vogla.
Frenimi i rritjes së portofolit të kredisë gjatë vitit 2020 ndikoi gjithashtu negativisht raportin e kredive me probleme ndaj totalit.
Nëse për vitin 2019 portofoli i kredisë ishte rritur me rreth 24%, për vitin 2020 rritja u reduktua ndjeshëm, në afërsisht 3%. Pasojat u ndjenë sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokimin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune.
Duke filluar nga mesi i vitit 2020, pas rihapjes së ekonomisë, institucionet e mikrofinancës raportuan një rimëkëmbje graduale të kërkesës, por, sërish tregu nuk arriti të kthehet në nivelet e parakrizës.
Rritja modeste e portofolit e bëri të paevitueshme një rritje të raportit të kredive me probleme, në kushtet kur huamarrësit e vegjël vuajtën pasojat e pandemisë. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të institucioneve financiare jo banka, edhe në këtë segment rritja e kredive të këqija ishte më e kufizuar krahasuar me projeksionet fillestare, pasi ekonomia u prek nga efektet e pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



