Lajme

KLP kërkon vaksinimin e prokurorëve dhe administratës së organit të akuzës

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë në konsideratë me prioritet vaksinimin e përfaqësuesve të një pjese të sistemit të drejtësisë.

Në letrën e tij dërguar ministres Ogerta Manastirliu, Ibrahimi kërkon përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ, në listën prioritare për vaksinim anti-Covid.

Në këtë grup bëjnë pjesë 928 persona dhe sipas Ibrahimit, prokurorët janë shumë të rrezikuar përballë këtij virusi. Po ashtu, theksohet se puna e prokurorisë, nuk mund të bëhet online, por vetëm në terren për shkak të natyrës së saj.

“Në emër të KLP-së, kryetari Gent Ibrahimi i dërgoi sot znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kërkesën për përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ, në listën prioritare për vaksinim. Në total grupi i sipërpërmëndur konsiston në 928 persona”, - thuhet në shkresën zyrtare të KLP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë