Para

El Salvadori synon të bëhet kombi i parë që miraton bitcoin si para kombëtare

El Salvadori po ndërmerr hapa për t’u bërë kombi i parë në botë që miraton Bitcoin si monedhë kombëtare, së bashku me dollarin amerikan që është tani për tani, duke hapur derën edhe për vende të tjera e duke zvogëluar ndikimin e bankës qendrore mbi ekonomitë e tyre.

Një projektligj që i mundëson Salvadorit të njohë Bitcoin si monedhë kombëtare do të paraqitet në Asamblenë Legjislative të vendit javën e ardhshme, tha presidenti Nayib Bukele në një videomesazh që u shfaq të shtunën në konferencën Bitcoin 2021 në Miami, SHBA. Partia politike e Bukele ka kontroll të plotë mbi asamblenë.

“Në terma afatshkurtër kjo do të prodhojë vende pune.” – tha Bukele.

Strike, një aplikim pagese i rrjetit Bitcoin, po punon me administratën e Bukele për të zbatuar planin e kriptomonedhës.

“Ajo që është shndërruese këtu është se Bitcoin është edhe aseti më i madh rezervë i krijuar ndonjëherë dhe një rrjet monetar superior.” – tha themeluesi i Strike, Jack Mallers në një deklaratë.

“Mbajtja e Bitcoin mund të ndihmojë në mbrojtjen e ekonomisë së një vendi në zhvillim nga inflacioni i monedhës ‘fiat’.” – shtoi Mallers. Bankat qendrore gjithashtu kanë manipuluar furnizimet e parave për të shkaktuar recesione.

Rreth 70% e banorëve të Salvadorit nuk kanë një llogari bankare, sipas Strike. El Salvadori është vendi më i vogël në Amerikën Qendrore dhe një nga kombet më të varfra në hemisferën perëndimore.

Përdorimi i Bitcoin do ta bëjë sistemin financiar të vendit më gjithëpërfshirës dhe do t’i lejojë njerëzit të dërgojnë para në shtëpi pa shërbime të dërgesave duke marrë tarifa, tha Strike.

Burimi: CNBC/Përshtati Gazeta SI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë