Para

Rezerva valutore arriti 4 miliardë euro në fund të katërmujorit

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është stabilizuar në nivelin e 4 miliardë eurove në katërmujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të BSH mjetet e rezervës valutore në fund të muajit prill kishin vlerën e 3.96 miliardë euro duke u rritur lehtë më 0.4% që nga fillimi i vitit.

Në krahasim më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ajo është rritur ndjeshëm më 11%.

Rezerva valutore arriti kulmin në qershor të 2020 duke prekur vlerën e 4.16 miliardë eurosh e ndihmuar dhe nga kontributi kryesor i dhënë nga eurobondi prej 650 milionë eurosh që u  sigurua nga qeveria shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 Euro përbënte, 64.9% të rezervës valutore duke u  ndjekur  nga Dollari amerikan me 19%.

Këtë vit, BSH rifilloi edhe programin e ankandeve të blerjes së valutës, në funksion të menaxhimit të rezervës valutore ku janë planifikuar 14 ankande, ku në total, shuma e parashikuar për t’u blerë është midis 56 dhe 84 milionë eurove.

 Në dy ankandet e zhvilluara në tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 16.1 milionë euro.

Kjo shumë e blerë në tremujorin e parë të vitit është më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por më e ulët në krahasim me tremujorin e parë të dy viteve pararendëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë