Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se këtë tremujor kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri është rritur ndjeshëm me 10.4% duke arritur në 58.6 miliardë lekë.
Në fund të muajit mars huaja për jorezidentët përbën rreth 8.8% të portofolit të sektorit bankar, nga rreth 8.2% që zinte një vit më parë.
Sipas BSH, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë.
Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta në mesin e vitit 2017.
Aktualisht, 52% e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në valutë të huaj, por tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies. Në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit.
Duke hequr pjesën që mbahet në formën e rezervës së detyrueshme pranë llogarive të Bankës së Shqipërisë, për shumicën e fondeve të tjera në valutë duhet gjetur një zgjidhje për investimin ose mbajtjen e tyre jashtë vendit.
Në kushtet e normave reale negative të interesit, vendosjet jashtë përgjithësisht nuk sjellin përfitime për bankat. Për këtë arsye, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



