Para

Arkëtimet nga shitja e pasurive të paluajtshme u rritën me 34% në 2020

Përgjatë pandemisë, sektori i pasurive të paluajtshme shënoi rritje të konsiderueshme ndryshe nga shumë sektorë të tjerë.

Te ardhurat e Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP) nga shitja e pasurive të paluajtshme u rritën me 34% në vitin 2020.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi se të ardhurat nga TAP mbi shitjen e pasurive të paluajtshme ishin 3,6 miliardë lekë në vitin 2020 me një rritje 34.4% në raport me vitin 2019. Arkëtimet nga shitja e pasurive të paluajtshme zunë 10% të totalit te të ardhurave nga TAP më 2020.

Zëri i dytë me rritjen më të madhe ishin arkëtimet e TAP nga deklaratat individuale. Të ardhurat nga ky zë arritën në 502 milionë lekë me një rritje vjetore 37%. Këto arkëtime zënë vetëm 1.3 për qind te të ardhurave totale nga TAP.

Të ardhurat totale nga TAP shënuan tkurrje vjetore me rreth 20% në vitin 2020.

Në këtë tendencë ndikuan arkëtimet nga dividendi me rënie me 79% pasi në vitin 2019 ky zë u ndikua pozitivisht nga ulja e dividendit nga 15 në 8%, me efekt prapaveprues edhe për vitet e mëparshme.

Edhe pse në një vit pandemik, pagat nuk pësuan ndryshime shumë të mëdha.

Arkëtimet e TAP nga pagat ishin rreth 22 miliardë lekë me një rënie vetëm 1.7% në raport me një vit më parë dhe zënë 59% te të ardhurave totale nga TAP.

Rënia më e madhe në zërat e TAP u vu re në mbi interesat dhe mbi qiratë përkatësisht me 4.8 dhe 5.4%.

Tatimi mbi të ardhurat personale është programuar 41.1 miliard lekë dhe është realizuar 37.1 miliard lekë, me një mosrealizim prej 4.0 miliard lekë ose 9.76 % më pak. 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në të cilin u arkëtuan 46.2 miliard lekë, të ardhurat nga ky lloj tatimi janë realizuar 9.2 miliard lekë më pak ose 19.81% më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë