Para

Zgjerohet sektori bankar, kalon pragun e 1.6 trilionë lekëve

Totali i aktiveve të sektorit bankar është zgjeruar më tej në tremujorin e parë të këtij viti duke kaluar për herë të parë pragun e 1.6 trilionë lekëve. Sipas të dhënave të BSH, totali i aktiveve u rrit me 3.5%.

Gjatë këtij tremujori, rritja është mbështetur kryesisht te letrat me vlerë dhe aktivet e tjera likuide me rrezik të ulët, ndërsa huaja ka shënuar një rritje më të ngadaltë.

Të dhënat e BSH tregojnë se portofoli  i letrave me vlerë në fund të marsit arriti në 498.5 miliardë lekë, në rritje me rreth 19 miliardë lekë që nga fillimi vitit.

Ky zë i aktiveve vazhdon të ketë edhe normat më të larta të rritjes vjetore, me rreth 17.2% më shumë krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Pandemia solli dhe shtimin e deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike  si në tregun e brendshëm edhe në atë të jashtëm.

Zmadhimi i portofolit të titujve besohet se nuk lidhet vetëm me emetimet e qeverisë shqiptare, por edhe me rritje të volumit të investimit në letra me vlerë të emetuesve të tjerë, sidomos në monedhën euro.

Për shkak të normave shumë të ulëta të interesit për vendosjet dhe depozitat në euro, bankat po investojnë më shumë në tituj, me qëllim përmirësimin e kthimit nga fondet në valutë. 

Në fund të tremujorit, sektori bankar kishte rreth 800 miliardë lekë pasive në valutë.

Kreditimi gjithashtu ka vazhduar rritjen ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me gjysmën e dytë  të vitit 2020 ku me bazë vjetore, portofoli i kredisë është në rritje me 1.8%.

Gjendja e provigjioneve në fund të tremujorit ishte rreth 33.4 miliardë lekë, në një nivel lehtësisht më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por në rritje me rreth 1 miliardë lekë që nga fillimi i vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë