Ka ndodhur

Apeli shtyn seancën, Shullazi do të mbrohet edhe nga një avokate greko-amerikane

Përveç avokatit shqiptar Vladimir Meçe, Emiljano Shullazi ka zgjedhur të përfaqësohet edhe nga një avokate të huaj. Lambrini Nassis, është në fakt një avokate greko-amerikane, e cila i bashkëngjitet kështu trupës së mbrojtjes dhe është e miratuar nga dhoma e avokatisë.

Të mërkurën ajo bëri paraqitjen e parë në seancën e parashikuar në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, ka shtyrë seancën për Shullazin dhe katër anëtarët e tjerë të grupit, pasi ka refuzuar përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares Miliana Muça.

Ndërkohë, Nassis, është shprehur se çdo person, ka të drejtën që të ketë një proces të rregullt gjyqësor, ndërsa avokati tjetër i Shullazit, Vladimir Meçe tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Ai shtoi se çështja mund të shkojë edhe në Strasburg.

Emiljano Shullazi (në mes) dhe grupi i tij kriminal në gjykatë

Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ai e ka apeluar vendimin, por deri më sot nuk është zhvilluar asnjë seancë.

Shkak i shtyrjeve, kryesisht kanë qenë kërkesat e avokatëve për largim të gjyqtarëve nga trupa, apo dhe dorëheqjet e vetë gjyqtarëve.

Emiljano Shullazi, akuzohet për një sërë veprash penale: plagosje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes, grup të strukturuar kriminal, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë