Mendim

Po nëse në fletën e votimit vendosim opsionin “asnjë nga partitë”

Nga Irena Beqiraj - Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, siç edhe pritej, po shoqërohet me një ambivalencë të thellë, e cila ka prekur shumicën e votuesve jo partiakë, pavarësisht nga profesioni apo niveli i edukimit. Këtë ndjesi votuesi shqiptar ka kohë që e provon, dhe kjo shprehet më së miri në përqindjet e pjesmarrësve në zgjedhje.

Politikanët tanë “të suksesshëm” nuk ngurojnë të proklamojnë që në politikë, i ka mbajtur dhe i mban vetëm vota. Ndërkohë që rënia drastike e pjesëmarrjes në zgjedhje, e cila me gjasa do të thellohet në zgjedhjet e 25 Prillit, tregon që votuesi i zakonshëm, jo partiak edhe jo tifoz, i ka abandonuar me kohë partitë politike edhe liderat e tyre afatgjatë. Ky abandonim u bë masiv në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku nuk votuan më shumë se gjysma e votuesve ose rreth 53.2% e tyre.

Që prej 2001, pyetja që shtrohet është: shumica e shqiptarëve nuk votojnë sepse janë të pa-interesuar, janë të pa-informuar, apo thjesht të lodhur nga kërkimi i padobishëm i të keqes më të vogël në alternativat që paraqiten në fletën e votimit?

Në demokraci, për një votues jopartiak, marrja e një vendimi të arsyetuar mbi alternativën më të mirë, kërkon kohë edhe përkushtim. Ai duhet të përvetësojë njohuritë e nevojshme për të vlerësuar politikat publike edhe ekonomike të paraqitura nga palët. Thënë këtë, për një votues jo-partiak, ku fitorja e një partie të caktuar nuk lidhet me interesat e ngushta personale, pjesëmarrja në zgjedhje shoqërohet me kosto të larta oportune, ndërkohë që ndikimi i votës së tij në rezultatin final është i papërfillshëm.

Ekonomisti Anthony Downs në punimin e tij Teoria Ekonomike e Demokracisë, e quan këtë fenomen “injoranca racionale e votuesit” edhe e përshkruan kështu: “Për shumë qytetarë në demokraci, një sjellje racionale do të përjashtonte çdo investim të mundshëm në informacionin politik. Pavarësisht se sa i rëndësishëm është ndryshimi midis partive kur qytetari e kupton se vota e tij nuk ka pothuajse asnjë shans për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, apo votimi nuk ndryshon asgjë në jetën e tij, sjellja e tij për tu mos u informuar apo për të mbetur injorant është racionale". Në romanin e tij klasik “Walden Two”  psikologu BF Skinner e thotë edhe më shkoqur: “Mundësia që vota e një njeriu të jëtë vendimtare në zgjedhje apo në jetën e tij, është më i ulët se mundësia që ai do të vritet rrugës për në votime"”

Për më tepër, në demokracitë kur palët akuzojnë në mënyrë të vazhdueshme njëri- tjetrin për vjedhje votash, kur fushatat elektorale janë negativiste, kur polarizimi politik është ekstrem ku shpërqendrimi dhe largimi i publikut nga faktet e vërteta dhe të rëndësishme është i qëllimshëm, kostoja oportune e përvetësimit të informacionit rritet dhe besimi tek vota bie. P.sh, studimet tregojnë që sa më shumë të flitet për korrupsionin aq më shumë votuesit refuzojnë kutitë e votimit. Interesant është studimi Daniel Stockemer, Bernadette LaMontagne, Lyle Scruggs, “Impakti i korrupsionit në pjesëmarrjen në zgjedhje”.

Shpesh guxoj të mendoj, se kjo strategji e ndjekur nga dinozaurët politikë, është e qëllimtë. Me sistemin e sotëm elektoral, partive kryesore u intereson pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Në këtë mënyrë, përcaktuesit e fituesit janë pakica e partiakëve dhe tifozët e tyre.  Liderët e kanë të lehtë të përjetësojnë vegjetimin e tyre në politikë, pa u lodhur për të prodhuar ide, pa pasur nevojë për bërë programe realiste, pasi retorika dhe demagogjia do të mjaftonte për të kënaqur tifozët.

Partiakët e thekur apo tifozët e tyre, lehtësisht mund të argumentojnë që partitë politike nuk kanë asnjë mjet për të shtyrë drejt kutive të votimit njërëzit që racionalisht kanë vendosur të jenë “të painformuar politikisht”. Në fakt ky argument, rri mbi një këmbë, përsa kohë nuk kemi një matje reale të  përqindjes së votuesve të informuar që dëshirojnë të votojnë, por refuzojnë ta bëjnë, pasi e kanë kuptuar që koncepti “e keqja më e vogël” nuk ekziston.

Refuzimi i votuesve pa zgjedhje, ka rëndësi politike, krahasuar me refuzimin e pjesëmarrjes në votime të të pa-interesuarve apo të pa-informuarve.

Në këto kushte ka ardhur koha të konsiderojmë përfshirjen në fletën e votimit e alternativës “Asnjë nga partitë”( disa vende në botë e kanë këtë opsion të quajtur ndryshe NOTA). Me anë të këtij instrumenti, do të kishim një matje të vlefshme të hendekut në tregun politik dhe një ide më të qartë të  thellësisë së mospërputhjes së kërkesës dhe ofertës politike. Matja e këtij refuzimi, mund të ishte një shtysë për reformimin aq të nevojshëm të partive duke i shtyrë ato të rinovojnë më shpesh trupat drejtuese, të sigurojnë më shumë vlerë, më shumë ide dhe përfaqësim cilësor. Kjo matje patjetër do ta largonte nga sjellja euforike në ushtrimin e pushtetit, fituesin e dalë nga votimi i pakicave. Matja e këtij refuzimi, në procesin e votimit, do të tregonte qartësisht nëse fituesi, është vërtet vullneti i shumicës siç kërkohet në demokraci, apo demokracinë e kemi kantandisur në një besim patetik tek mencuaria kolektive e pakicës  së  tifozëve dhe partiakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë