Grupi Suning është në krizë dhe Interi është në ankth. Nga Kina, pronari Zhang Jindong ka bërë të ditur me anë të një videomesazhi planin e ri për të shpëtuar perandorinë e tij.
“Duhet të jemi të përqendruar te beteja jonë kryesore. Duhet të fillojmë të reduktojmë dhe të ridizenjojmë linjën e kësaj beteje. Kemi nevojë t’i përkushtohemi sektorit të shitjeve, me detaje, duhet të mbyllim aktivitetet me kosto dhe të parëndësishme për industrinë e shitjeve, pa hezitim”, – ka thënë Zhang Jindong.
Interi, që është në shitje prej disa muajsh, është pikërisht një nga aktivitetet me kosto të larta dhe Zhang është i qartë: stop investimeve. Pas këtyre fjalëve situata te zikaltrit fillon të bëhet edhe më shqetësuese.
Suning është në udhëkryq dhe shitja e klubit është e vetmja zgjidhje, edhe pse fondi “Bc Partner” ofron më pak se 1 miliard euro. Në të kundërt, duhet kërkuar një borxh i ri 150-200 milionë euro për të paguar detyrimet e 2020-ës brenda 31 marsit, që është edhe afati i fundit, për të marrë “ok”-in e UEFA-s për pjesëmarrjen në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.