Futboll

Interi në ankth, kriza detyron Suning të shkurtojë shpenzimet

Grupi Suning është në krizë dhe Interi është në ankth. Nga Kina, pronari Zhang Jindong ka bërë të ditur me anë të një videomesazhi planin e ri për të shpëtuar perandorinë e tij.

"Duhet të jemi të përqendruar te beteja jonë kryesore. Duhet të fillojmë të reduktojmë dhe të ridizenjojmë linjën e kësaj beteje. Kemi nevojë t’i përkushtohemi sektorit të shitjeve, me detaje, duhet të mbyllim aktivitetet me kosto dhe të parëndësishme për industrinë e shitjeve, pa hezitim”, - ka thënë Zhang Jindong.

Interi duke festuar një gol. Gazeta Si, 19 shkurt 2021

Interi, që është në shitje prej disa muajsh, është pikërisht një nga aktivitetet me kosto të larta dhe Zhang është i qartë: stop investimeve. Pas këtyre fjalëve situata te zikaltrit fillon të bëhet edhe më shqetësuese.

Suning është në udhëkryq dhe shitja e klubit është e vetmja zgjidhje, edhe pse fondi “Bc Partner” ofron më pak se 1 miliard euro. Në të kundërt, duhet kërkuar një borxh i ri 150-200 milionë euro për të paguar detyrimet e 2020-ës brenda 31 marsit, që është edhe afati i fundit, për të marrë “ok”-in e UEFA-s për pjesëmarrjen në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë