Roberto Mançini e ka thënë qartë gjatë emisionit “Tiki Taka”: “Kombëtaret luajnë pak ndeshje dhe ndonjëherë mërzitesh duke qëndruar në shtëpi. Ky është problemi. Është një nder i madh që jam ulur në stolin e kombëtares italiane, pastaj me siguri do të kthehem të drejtoj një klub”.
Kontrata e Mançinit me Italinë skadon pas Botërorit të 2022-shit, por jo gjithçka varet prej saj. “Kontratat janë aty, por ato mund të prishen apo të rinovohen në çdo moment”, – ka shtuar më tej trajneri italian. Për rinovimin, presidenti Gravina ka insistuar veçanërisht gjatë fushatës për rizgjedhjen në krye të federatës, pastaj nuk ka folur më publikisht.
Raportet mes tij dhe trajnerit Mançini janë stabilizuar pas zërave për një kontakt të mundshëm mes presidentit dhe Marçelo Lipit për rolin e drejtorit teknik të kombëtares italiane. Një zgjedhje, për të cilën Mançini nuk ishte vënë në dijeni. Gjithsesi, duket i sigurt qëndrimi i trajnerit aktual deri në “Qatar 2022”.
Pas Botërorit shumë gjëra do të varen nga vullneti i Gravinës, nëse do të rizgjidhet, për ta çuar përpara projektin me Lipin. Në këtë rast, duket i sigurt fakti se zëvendësuesi i Mançinit do të jetë Fabio Kanavaro, të cilit i skadon kontrata me kinezët e Guangzhou pikërisht vitin e Botërorit. Alternativë është edhe Antonio Konte. Nuk është mister që trajneri i Interit dëshiron të kthehet tek Italia.
Fakti që nuk ka marrë pjesë asnjëherë si trajner në një kupë bote është një “peng” i karrierës së tij. Po ashtu, ai është shprehur muajt e fundit se dëshiron të ketë më shumë kohë të lirë për t’ia dedikuar familjes. Gjithsesi, për të drejtuar Italinë Konte duhet të pranojë të reduktojë pagën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.