Futboll

Mançini ikën nga Italia pas Botërorit, Kanavaro pasuesi i tij

Roberto Mançini e ka thënë qartë gjatë emisionit “Tiki Taka”: "Kombëtaret luajnë pak ndeshje dhe ndonjëherë mërzitesh duke qëndruar në shtëpi. Ky është problemi. Është një nder i madh që jam ulur në stolin e kombëtares italiane, pastaj me siguri do të kthehem të drejtoj një klub”.

Kontrata e Mançinit me Italinë skadon pas Botërorit të 2022-shit, por jo gjithçka varet prej saj. "Kontratat janë aty, por ato mund të prishen apo të rinovohen në çdo moment”, - ka shtuar më tej trajneri italian. Për rinovimin, presidenti Gravina ka insistuar veçanërisht gjatë fushatës për rizgjedhjen në krye të federatës, pastaj nuk ka folur më publikisht.

Roberto Mançini, trajneri i Italisë. Gazeta Si, 3 shkurt 2021

Raportet mes tij dhe trajnerit Mançini janë stabilizuar pas zërave për një kontakt të mundshëm mes presidentit dhe Marçelo Lipit për rolin e drejtorit teknik të kombëtares italiane. Një zgjedhje, për të cilën Mançini nuk ishte vënë në dijeni. Gjithsesi, duket i sigurt qëndrimi i trajnerit aktual deri në “Qatar 2022”.

Pas Botërorit shumë gjëra do të varen nga vullneti i Gravinës, nëse do të rizgjidhet, për ta çuar përpara projektin me Lipin. Në këtë rast, duket i sigurt fakti se zëvendësuesi i Mançinit do të jetë Fabio Kanavaro, të cilit i skadon kontrata me kinezët e Guangzhou pikërisht vitin e Botërorit. Alternativë është edhe Antonio Konte. Nuk është mister që trajneri i Interit dëshiron të kthehet tek Italia.

Fakti që nuk ka marrë pjesë asnjëherë si trajner në një kupë bote është një “peng” i karrierës së tij. Po ashtu, ai është shprehur muajt e fundit se dëshiron të ketë më shumë kohë të lirë për t’ia dedikuar familjes. Gjithsesi, për të drejtuar Italinë Konte duhet të pranojë të reduktojë pagën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë