Fondi i caktuar që do tu shpërndahet partive politike në vend për fushatën zgjedhore të 25 prillit 2021 është 140 milionë lekë.
Pjesën më të madhe e përfiton Partia Socialiste, 63.417.047 lekë. Partia Demokratike ka 38.911.877 lekë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 20.012.797.
Sipas ligjit për financimin e partive, forcat politike përfitojnë fonde në bazë të:
-Numrit të mandateve në zgjedhjet e fundit parlamentare.
-Të paktën të kenë 10 mijë vota
-1% të votave në nivel kombëtar.
Sipas shifrave të publikuara nga fushatat e vitit 2009, 2013, 2017 dhe 2020 vihet re një ulje e vlerës së fondit që u është shpërndarë partive politike.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, dukshëm ka patur një buxhet më të limituar në vitin 2009 kur garonte vetëm, 11.4 milionë lekë dhe në vitin 2013 në koalicion me Partinë Socialiste me buxhet 25 milionë lekë. Në zgjedhjet e 2017-ës, LSI-ja garonte e vetme me një fond prej 75.2 milionë lekësh.
Në 2009 Partia Demokratike kishte një buxhet prej 150 milionë lekësh që është shifra më e lartë e një partie në vend, të paktën dekadën e fundit. Partia Socialiste kishte 93.6 milionë lekë.
Në fushatën zgjedhore të 2013-ës, PS-ja kishte një shumë prej 71.3 milionë lekësh dhe PD-ja 94 milionë lekë. 4 vite më vonë, PS hyri në zgjedhje me një fond prej 93.8 milionë lekësh dhe PD me 88 milionë lekë.
Mbështur në të dhënat publike të vetë partive, buxheti i caktuar përfshin përgjithësisht objektet identifikuese si flamuj, slogane, pankarta, elementët skenikë si podiumet, ekranet, strukturat e audiove etj. Shpenzimet mbi transportin si mjete me qira apo naftë, mbi telekomunikacionin dhe argëtimin.
Sipas një studimi nga Fondacioni Westminster për Demokraci dhe Instituti Shqiptar për Sipërmarrjen në vitin 2019, partitë politike në Shqipëri shpenzonin më shumë para se sa merrnin nga buxheti i shtetit dhe më shumë se sa publikonin. Të dy institucionet sugjeruan që financimi i partive për fushatë të bëhej plotësisht nga buxheti i shtetit duke zhdukur mundësinë e financimit nga burime të panjohura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





