Futboll

Kontrata e Mesit rrënoi Barcelonën, mbi gjysmë miliardi euro për 4 vjet

Më shumë se gjysmë miliardi euro për 4 vjet. Kaq fiton Lionel Mesi nga kontrata me Barcelonën, e firmosur në nëntor të 2017-ës dhe që skadon në qershor. “El Mundo” ka arritur të gjejë tekstin e kontratës, duke bërë publike shifrat që mund të sjellin ndarjen përfundimtare mes Mesit dhe Barcelonës.

Është e qartë se kontrata e Mesit ka pasur impakt të tmerrshëm ekonomik në kasat e klubit katalanas, në raport me rezultatet sportive të viteve të fundit. Sipas asaj që zbulon “El Mundo”, kontrata e Mesit vlen 555.237.619 euro për 4 vjet, ose 139 milionë euro në sezon.

Lionel Mesi. Gazeta Si, 31 janar 2021

Në kontratë janë dy “çmime”: një për firmën prej më shumë se 115 milionë eurosh, dhe një për besnikërinë prej 80 milionë eurosh. Pavarësisht aventurave të shëmtuara në 3 sezonet e fundit në Ligën e Kampionëve, Mesi ka përfituar 92% të vlerës së totalit të përmendur më lart, rreth 511 milionë euro, një shifër që e ndarë në 4 vite do të thotë 127.7 milionë euro në sezon.

Barcelona sapo ka njoftuar se borxhi i saj shkon në vlerën 1137 milionë euro. Është e natyrshme që një kontratë e këtij tipi rëndon shumë në arkën e klubit. Edhe sfondi i “scoop”-it të të përditshmes spanjolle është i qartë: “Si e ka paguar këto vite klubi lojtarin argjentinas?” – është titulli i artikullit kryesor, që shoqëron shifrat.

Pastaj edhe tre tituj më të vegjël: “Dita kur Mesi konfiskoi Barcelonën”, “Një akord i bërë në gjunjë” dhe “Një njeri nuk mund të jetë kurrë një Zot”. Mesi në gusht kërkoi me anë të një burofax-i që të largohej. Presidenti Bartomeu pas pak kohësh dha dorëheqjen dhe tani Mesi mund të ikë si lojtar i lirë. Do të ikë gratis, pasi ka marrë një pagë të pabesueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë