Më shumë se gjysmë miliardi euro për 4 vjet. Kaq fiton Lionel Mesi nga kontrata me Barcelonën, e firmosur në nëntor të 2017-ës dhe që skadon në qershor. “El Mundo” ka arritur të gjejë tekstin e kontratës, duke bërë publike shifrat që mund të sjellin ndarjen përfundimtare mes Mesit dhe Barcelonës.
Është e qartë se kontrata e Mesit ka pasur impakt të tmerrshëm ekonomik në kasat e klubit katalanas, në raport me rezultatet sportive të viteve të fundit. Sipas asaj që zbulon “El Mundo”, kontrata e Mesit vlen 555.237.619 euro për 4 vjet, ose 139 milionë euro në sezon.
Në kontratë janë dy "çmime”: një për firmën prej më shumë se 115 milionë eurosh, dhe një për besnikërinë prej 80 milionë eurosh. Pavarësisht aventurave të shëmtuara në 3 sezonet e fundit në Ligën e Kampionëve, Mesi ka përfituar 92% të vlerës së totalit të përmendur më lart, rreth 511 milionë euro, një shifër që e ndarë në 4 vite do të thotë 127.7 milionë euro në sezon.
Barcelona sapo ka njoftuar se borxhi i saj shkon në vlerën 1137 milionë euro. Është e natyrshme që një kontratë e këtij tipi rëndon shumë në arkën e klubit. Edhe sfondi i “scoop”-it të të përditshmes spanjolle është i qartë: “Si e ka paguar këto vite klubi lojtarin argjentinas?” - është titulli i artikullit kryesor, që shoqëron shifrat.
Pastaj edhe tre tituj më të vegjël: "Dita kur Mesi konfiskoi Barcelonën", "Një akord i bërë në gjunjë” dhe "Një njeri nuk mund të jetë kurrë një Zot". Mesi në gusht kërkoi me anë të një burofax-i që të largohej. Presidenti Bartomeu pas pak kohësh dha dorëheqjen dhe tani Mesi mund të ikë si lojtar i lirë. Do të ikë gratis, pasi ka marrë një pagë të pabesueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.