Një ndërmjetësues pasurish të paluajtshme në Indiana, një ish-kuzhinier në Bronks, një pastor evangjelist dhe bashkëshortja e tij në Kaliforni dhe një student gjimnazi nga periferitë e Miluokit. Këta janë mes miliona “amatorëve” të bursës së Wall Street që u janë kundërvënë investitorëve të sofistikuar dhe që për momentin duket se po fitojnë.
Nxitur nga një miks ndjenjash, urrejtjeje, gëzimi dhe lakmie për t’i dhënë Wall Street-it një mësim dhe të karikuar nga idetë e përhapura përmes rrjeteve sociale të “pasurimit të shpejtë”, këta investitorë kanë futur duart tek aksionet e disa kompanive duke i çuar ato në nivele stratosferike.
Një pjesë e emrave të këtyre kompanive janë të një epoke tjetër të të bërit biznes dhe që për shumë nga ata që e mbajnë veten profesionistë në bursë janë në agoni. Aksionet e BlackBerry-t u rritën me 280 për qind, kompania e rrjetit të kinemave, AMC u rrit me 840 për qind, megjithëse për shkak të pandemisë duhej të ndodhte e kundërta. Por, shembulli që ilustron më perfekt është ai i kompanisë GameStop, rrjeti i dyqaneve fizike të videolojërave që lundron prej kohësh në ujëra të turbullta për shkak të Amazon dhe pandemisë.
Në Wall Street, investitorët individualë cilësohen shpesh si “budallenj” të destinuar për të humbur paratë e tyre përballë analistëve dhe tregtarëve të tjerë të sofistikuar që luajnë në bursa, që e kanë punë të përditshme. Por, ditët e fundit investirorët individualë, shumë prej tyre ndjekës të nënfaqes “Wall Street Bets” të hapur në Reddit provuan se “bashkimi bën fuqinë” duke u shkundur xhepat “e arrogancën e kompanive të Wall Street”, që kishin vënë bast se aksionet e GameStop do të binin.
Në një kohë që këto kompani dhe menaxherë profesionistë kishin parashikuar rënie të mëtejshme të aksioneve për GameStop, me bindje se kjo do të ndodhte për shkak të pandemisë dhe Amazon, shumë lojtarë individualë të bursës mendonin të kundërtën, duke blerë aksionet e kësaj kompanie. Kjo bëri që vlera në treg e kompanisë të rritej nga dy në 24 miliard dollarë brenda pak ditësh. Aksionet e GameStop u rritën me 1700 për qind që nga dhjetori dhe nga e martë deri të mërkurën u vlera e kompanisë në treg u rrit me mbi 10 miliardë dollarë.
Ben Patte, një 16-vjeçar dhe nxënës gjimnazi në Uiskonsin thotë se ka bërë 750 dollarë nga luajtja në bursë me aksionet e GameStop. Adoleshenti e sheh këtë edhe si formë hakmarrëse për veten dhe të tjerët që kanë humbur ndër vite përballë kompanive dhe “ujqërve të Wall Street”. “Është një mundësi e mirë për të bërë para dhe ngjall kënaqësi kur sheh se po i mundim në vetë lojën e tyre”, thotë ai.
Aktualisht “amatorët” po fitojnë betejën, por askush nuk është në gjendje që të thotë se si do të përfundojë lufta. Disa analistë hamendësojnë se ky aktivitet kaq i dendur mund të shkaktojë një fushatë shitjeje në tregje, që do të detyrojë edhe vetë kompanitë “aktore” në bursë që të nxjerrin në shitje portofolin e tyre për të mbuluar humbjet.
Pasojat kryesore deri më tani i ka ndjerë “Melvin Capital”, ndërsa efektet anësore janë ndjerë kudo. “S&P 500” ra me më shumë se 2.5 për qind ditën e mërkurë, duke regjistruar shifrat më negative që prej muajit tetor të vitit të kaluar.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk i vihet fre kësaj loje, zinxhiri i efekteve do të jetë i paparashikueshëm. “Sa më shumë ta frysh një tollumbace, aq më e madhe do të jetë zhurma që ajo do të bëjë kur të plasë”, tha për New York Times, Steve Sosnick, kryestrategu i “Interactive Brokers”.
Shumë kompani dhe specialistë kanë kërkuar ndërhyrjen e rregullatorëve, ndërsa të tjerë mendojnë se “çdo të mbjellësh do të korrësh” dhe se shembulli i GameStop është mësimi më i mirë që mund të marrë “Wall Street” dhe që tregon se tregu financiar i SHBA është krejtësisht i shkëputur nga realiteti.
Burimi: New York Times. Përshtati në shqip Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.