Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën me dije se, ka miratuar shtyrjen e afatit për aplikime të skemës së garancisë shtetërore deri më 30 qershor 2021. Financat shpjegojnë se vendimi është marrë me qëllim rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar.
Vendimi vjen pas kërkesës së Shoqatës së Bankave, në kohën kur ende ka subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë1.
Sipas Minsitrisë së Financave, shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e Covid-19.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, tregojnë se deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë Lekë.
Në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%).
Ndërkaq, bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.